Thellë në një shpellë të errët squfuri në Sarantaporo, në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë, studiuesit kanë zbuluar një rrjetë gjigante me mbi 111 mijë merimanga – strukturën më të madhe të këtij lloji të njohur deri më sot.
Sipas një studimi të botuar më 17 tetor në revistën Subterranean Biology, kolonia përbëhet nga një rrjetë kolosale në një zonë të errët të shpellës, ku drita nuk depërton kurrë. Ajo shtrihet rreth 350 metra përgjatë murit të një tuneli të ngushtë dhe të ulët pranë hyrjes. Studiuesit e përshkruajnë si një mozaik të përbërë nga mijëra rrjeta individuale në formë hinke.
Kjo është dëshmia e parë e sjelljes koloniale tek dy specie të zakonshme merimangash dhe, sipas udhëheqësit të studimit, profesor Istvan Urak nga Universiteti Sapientia në Rumani, përfaqëson rrjetën më të madhe të njohur deri më sot.
“Bota natyrore ende fsheh pafundësi surprizash. Kur pashë rrjetën për herë të parë, ndjeva admirim, respekt dhe mirënjohje. Është diçka që duhet ta përjetosh vetë për ta kuptuar”, tha Urak për Live Science.
Ky “qytet” spektakolar i merimangave ndodhet në të ashtuquajturën Shpella e Squfurit, e formuar nga acidi sulfurik që lind nga oksidimi i sulfurit të hidrogjenit në ujërat nëntokësore.
Edhe pse ekipi i Urakut solli prova të reja për koloninë, rrjeta ishte parë më herët. Speleologë çekë e kishin zbuluar që në vitin 2022 gjatë një ekspedite në Luginën e Vromones. Në vitin 2024, një ekip shkencëtarësh mori mostra të rrjetës për analizë, të cilat më pas u studiuan nga Urak përpara ekspeditës së tij.

Analizat konfirmuan se kolonia përbëhet nga dy specie: Tegenaria domestica (merimanga e zakonshme e shtëpisë) dhe Prinerigone vagans (një specie e vogël që jeton në mjedise të lagështa).
Gjatë vëzhgimit, studiuesit vlerësuan rreth 69 mijë ekzemplarë të T. domestica dhe mbi 42 mijë të P. vagans. Analizat gjenetike e konfirmuan këtë përbërje.

Sipas Urakut, kjo koloni është unike: dy specie që zakonisht jetojnë pranë njerëzve, këtu ndajnë të njëjtën rrjetë në një bashkëjetesë të pazakontë. Në kushte normale, njëra do të kishte gjuajtur tjetrën, por mungesa e dritës në shpellë duket se ka ndikuar në sjelljen e tyre.
Në vend të kësaj, merimangat ushqehen me mushkonja që nuk kafshojnë, të cilat jetojnë duke konsumuar biofilma mikrobikë të krijuar nga bakteret që oksidojnë squfurin. Një rrjedhë natyrore e pasur me sulfur hidrogjeni mban gjallë këtë ekosistem të veçantë.
Dieta e tyre ndikon drejtpërdrejt në mikrobiomën e merimangave, e cila rezulton dukshëm më pak e larmishme krahasuar me atë të merimangave që jetojnë jashtë shpellës. Studimet molekulare tregojnë gjithashtu se merimangat e kësaj kolonie janë gjenetikisht të ndryshme nga të afërmit e tyre jashtë, duke sugjeruar përshtatje me mjedisin ekstrem dhe të ndotur.
“Sapo mendon se njeh plotësisht një specie, natyra të befason. Disa krijesa kanë aftësi të jashtëzakonshme për t’u përshtatur në kushte ekstreme, duke treguar sjellje që nuk i sheh kurrë në mjedise normale. Është thelbësore që kjo koloni të ruhet, pavarësisht sfidave që sjell fakti që ndodhet mes dy kufijve,” përfundoi Urak.
/Motilokal.com
