Të dhëna alarmuese të OBSH-së: Fëmijët në Evropë po shëndoshen më shumë

Të dhëna alarmuese të OBSH-së: Fëmijët në Evropë po shëndoshen më shumë

A janë fëmijët tanë shumë të shëndoshë? Raporti i fundit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thotë se janë, dhe situata është veçanërisht shqetësuese në Evropën Jugore.

Sipas raportit, një studim që përfshinte rreth 470,000 fëmijë të moshës gjashtë deri në nëntë vjeç, mbipesha e fëmijërisë është një problem i madh në Evropë dhe sjell me vete rreziqe shëndetësore që kërcënojnë jetën.

Veçanërisht shqetësuese është fakti se një e katërta e fëmijëve të vegjël janë mbipeshë, dhe çdo fëmijë i dhjetë konsiderohet obez.

OBSH-ja paralajmëron se obeziteti në fëmijëri rrit rrezikun e kancerit, sëmundjeve të zemrës, goditjes në tru, si dhe diabetit dhe sëmundjeve të tjera kronike në moshë madhore.

Për më tepër, është shqetësuese që djemtë kanë më shumë gjasa të jenë obez sesa vajzat. Por edhe që prindërit e fëmijëve mbipeshë kanë tendencë ta nënvlerësojnë peshën e tyre. Kështu, 66 për qind e fëmijëve mbipeshë kishin prindër që mendonin se ishin me peshë normale ose edhe nën peshë.

Problemi kryesor - cilësia e ushqimit

Sipas raportit, dietat e fëmijëve janë të varfra në të gjithë Evropën. Vetëm një e treta e fëmijëve konsumojnë perime çdo ditë.

Nga ana tjetër, deri në 41 për qind e fëmijëve hanë ëmbëlsira, 29 për qind pinë pije të gazuara dhe 16 për qind hanë ushqime të kripura më shumë se tre herë në javë.

Dhe prindërit luajnë një rol të madh në këtë, sepse fëmijët e prindërve më të arsimuar, në përgjithësi, konsumonin një dietë më të shëndetshme.

Të dhëna të ndryshme

Edhe pse prindërit pohuan se fëmijët e tyre ishin aktivë për të paktën një orë në ditë dhe flinin të paktën nëntë orë në natë, raporti tregoi edhe të dhëna shqetësuese.

Plot 42 për qind e fëmijëve kalojnë të paktën dy orë në ditë para ekraneve gjatë javës dhe plot 78 për qind gjatë fundjavës. Dhe djemtë janë përpara vajzave në këtë drejtim.

"Të dhënat sugjerojnë se, ndërsa prevalenca mund të jetë duke u stabilizuar në disa vende, mbipesha dhe obeziteti tek fëmijët mbeten alarmante dhe vazhdojnë të kërcënojnë shëndetin e brezave të tanishëm dhe të ardhshëm", tha dr. Kremlin Wickramasinghe, Këshilltar Rajonal për Ushqyerjen, Aktivitetin Fizik dhe Obezitetin në OBSH/Evropë.

Prandaj, OBSH-ja propozoi vendosjen e një takse mbi pijet e ëmbëlsuara dhe ushqimet e pasura me sheqer, kripë dhe yndyrna trans, kufizimin e reklamave të ushqimeve dhe pijeve të pashëndetshme (veçanërisht atyre që u drejtohen fëmijëve) dhe politika që inkurajojnë aktivitetin fizik.

/Motilokal.com