Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), në kuadër të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), ka publikuar raportin e menaxhimit të mbeturinave komunale për vitet 2023 dhe 2024. Të dhënat tregojnë një rritje të ndjeshme në sasinë e mbeturinave të gjeneruara për banor në nivel vendi, duke reflektuar tendenca të reja në sjelljen konsumatore dhe zhvillimin urban.
Sipas raportit, grumbullimi total i mbeturinave ka pësuar një rënie të lehtë, nga 471 mijë ton në vitin 2023 në rreth 449 mijë ton në vitin 2024. Megjithatë, kur analizohet gjenerimi për kokë banori, shifrat tregojnë të kundërtën. Norma e gjenerimit është rritur nga 240.15 kilogramë për banor në vitin 2023, në 293.60 kilogramë në vitin 2024. Kjo përbën një rritje prej 53.45 kilogramësh për banor në vetëm një vit.
Sipas AMMK-së, për vitin 2023 llogaritjet janë bërë bazuar në të dhënat e regjistrimit të popullsisë së vitit 2011, ndërsa për vitin 2024 është përdorur regjistrimi më i fundit, që pasqyron më saktë ndryshimet demografike. Kjo e bën krahasimin ndërvite më të qëndrueshëm dhe më të afërt me realitetin aktual.
Në raport theksohet se, ndonëse disa komuna nuk kanë raportuar plotësisht të dhënat për periudhën përkatëse, Agjencia ka bërë një vlerësim të kujdesshëm për të ndërtuar një pasqyrë sa më reale të gjendjes në terren.
Të dhënat tregojnë se rajonet e Gjilanit dhe Mitrovicës kanë shënuar rritjen më të madhe të mbeturinave për banor në vitin 2024, me përkatësisht 411.31 dhe 364.48 kilogramë për banor në vit. Rajoni i Prishtinës gjithashtu ka shënuar rritje, nga 252.13 kilogramë në 2023 në 284.89 kilogramë në 2024. Rajonet e Pejës, Prizrenit, Ferizajt dhe Gjilanit kanë ndjekur të njëjtin trend rritës, ndërsa rajoni i Gjakovës ka qenë i vetmi me rënie, nga 197.91 në 178.82 kilogramë për banor.
Kjo rritje e gjenerimit të mbeturinave lidhet, sipas AMMK-së, me faktorë si urbanizimi, rritja e konsumit, si dhe përmirësimi i sistemeve të mbledhjes dhe raportimit të mbeturinave.
Raporti thekson nevojën për forcimin e politikave të riciklimit dhe trajtimit të mbeturinave, për të siguruar një menaxhim më të qëndrueshëm të burimeve dhe për të reduktuar ndikimin mjedisor të këtij trendi në rritje.
/Motilokal.com
