Lehtësimi i masave, Manastirliu: Nga e hëna fasha e lëvizjes zgjerohet në dy orë

Lehtësimi i masave, Manastirliu: Nga e hëna fasha e lëvizjes zgjerohet në dy orë

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka njoftuar për të gjithë qytetarët lehtësimin e masave duke filluar nga nesër, data 27 prill.

Ajo ka thënë se duke u nisur nga zhvillimet e javës së fundit, nga vlerësimi dhe analiza e të dhënave dhe situatën e epidemisë në vend, Komitetit Teknik i Ekspertëve ka hartuar strategjinë e ri-hapjes graduale dhe të kujdesshme për popullatën dhe shërbimet esenciale.

Sipas saj kjo strategji parashikon katër faza për lehtësimin  gradual te masave,  që lidhen në mënyrë të ngushtë me evoluimin e infeksionit COVID19 dhe shkallën e përhapjes  së tij.

Manastirliu ka thënë se do të tregohemi në çdo fazë shume të kujdesshëm, duke vlerësuar kurbën  epidemiologjike, shpërndarjen e vatrave të infeksionit, transmetueshmërinë e infeksionit si dhe përballimin nga strukturat spitalore të rasteve me simptoma të COVID19.

“Duke filluar nga dita e hënë, date 27 Prill, do të zgjerohet fasha e lëvizjes të qytetarëve nga 90 minuta në 2 orë, duke ruajtur parametrat e sigurisë distancimit social dhe duke zgjeruar mundësinë e kryerjes së shërbimeve thelbësore në një hapësirë kohore më të gjerë”, u shpreh ministrja e shëndetësisë.

Ministrja Manastirliu ka bërë të ditur se nga e hëna në datë 27 prill do të lejohen të ushtrojnë aktivitet bizneset si më poshtë:

Dyqanet e veshjeve

Të tekstileve

Të këpucëve dhe artikujve prej lëkure

Dyqanet që tregojnë mobilje, pajisje të ndriçimit dhe artikujve shtëpiakë

Dyqanet e luleve, bimëve, të kafshëve të shtëpisë dhe ushqimit të tyre në dyqane të specializuara

Shërbimi Taxi

Dyqanet e pajisjeve elektronike, lodrave për fëmijë, pajisjet sportive, pajisjet e telekomunikacionit.

Lista e plotë e bizneseve që hapen nga dita e hënë, gjendet e plotë në portalin E-Albania.

“Këto biznese lejohen të ushtrojnë veprimtarinë e tyre vetëm duke plotësuar dhe zbatuar protokollet e miratuara, duke siguruar kushtet e detyrueshme higjieno sanitare dhe respektimin e distancimit fizik, për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe punonjësve”, theksoi ajo.

Ajo njoftoi po ashtu se lista e protokolleve të sigurisë të përgjithshme dhe specifike sipas klasifikimit të riskut për bizneset e sipërpermendura gjendet në portalin e-albania dhe është e detyrueshme për çdo biznes te hapur.

Më tej ministrja tha se në kuadër të lehtësimit gradual dhe të kujdesshëm të masave, bazuar në vendimin e Komitetit te Ekspertëve, nga dita e hënë datë 27 prill, do të fillojë lehtësimet e posaçme për lëvizjen në “zonat e gjelbërta”.

Janë klasifikuar si zona të gjelbërta ato qarqe apo bashki të cilat rezultojnë deri sot, me risk të ulët të transmetimit të infeksionit të shkaktuar nga COVID19.

Zonat si me poshtë:

Qarku Dibër

Qarku Gjirokastër

Zona e përbashkët e bashkive Sarandë, Konispol, Himarë, Delvinë dhe Finiq;

Zona e përbashkët e bashkive Prrenjas, Pogradec dhe Librazhd

Si dhe Bashkia Divjakë.

Në zonat e gjelbërta, lëvizja e pensionistëve do të jetë nga 6:00- 08:30 të mëngjesit.

“Qytetarët e tjerë do të lëvizin nga ora 09:30 deri 17:30, të shoqëruar jo më shumë se me një person. Përjashtim do të bëjnë qytetarët që kanë autorizim pune, të cilët nuk kufizohen nga oraret e sipërpërmendura. Ne zonat e gjelbërta parqet do të vazhdojnë të jenë të mbyllura edhe për 14 ditë dhe nuk do të lejohet grumbullimi dhe qëndrimi i më shumë se dy personave bashkë në hapësirat publike. Sa i takon mjeteve private të transportit ato do të lejohen të qarkullojnë pa autorizim vetëm brenda Qarkut ose Bashkive përkatëse nga ora 09:30 deri 17:30, vetëm me një pasagjer. Është e rëndësishme të theksohet se nuk do të lejohet lëvizja me mjet privat ose si pasagjer i pensionistëve, përveç rasteve me autorizim për arsye shëndetësore. Përtej këtij orari mund të qarkullojnë vetëm mjetet që kanë autorizimin përkatës nga e-Albania”, deklaroi ministrja Manastirliu.

Ajo shtoi se pavarësisht se ka zona të gjelbërta, normaliteti i ri i bashkëjetesës me virusin, do vijojë të kërkoje lëvizje të kufizuara, vetëm për arsye thelbësore, duke ruajtur në çdo rast distancimin fizik dhe respektimin me rigorozitet të masave të sigurisë në punë dhe në komunitet.

“Situata është dinamike dhe si e tillë do të vlerësohet hap pas hapi. Me kujdes dhe përgjegjësi maksimale, për mbrojtjen së pari dhe mbi të gjitha, të jetës dhe shëndetit të qytetarëve”, theksoi ministrja Manastirliu në konferencë për media./Motilokal.com