![Njihuni me qytetin e një mbi një dritareve [Foto]](https://motilokal.com/storage/app/uploads/public/5ea/5bd/5c6/thumb_2491_650_365_0_0_crop.jpg)
Berati, “qyteti i një mbi një dritareve”, mbetet një nga grishjet më të forta për turizmin e historisë, artit e kulturës në Shqipëri. Për shkak të vlerave të veçanta historike e kulturore, Berati u shpall “qytet muze” në vitin 1961, ndërsa që nga viti 2008 është në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Qyteti i Beratit është ngritur fillimisht si kështjellë, mbi kodrën shkëmbore me lartësi 187 metra mbi nivelin e detit, në krahun e djathtë të lumit Osum, para se ky të dalë në fushën e Myzeqesë.
Rrethi i Beratit shtrihet kryesisht në një territor me reliev malor e kodrinor, me lartësi mesatare mbi nivelin e detit 455 metra (qyteti 58 metra). Në mjedisin natyror të Beratit dallohen: zona fushore e kodrinore e Beratit dhe e Kuçovës, mali i Tomorrit 2417 metra lartësi mbi detare dhe ai i Shpiragut 1218 metra lartësi mbi detare si edhe lugina e Osumit dhe e Tomoricës.
Zona fushore dhe ajo kodrinore janë baza e zhvillimit të prodhimit bujqësor, ndërsa malet dhe luginat përfaqësojnë burime të mëdha pyjore, kullosore dhe hidrike, ende të pashfrytëzuara si potenciale të rëndësishme të zhvillimit ekonomik e mjedisor.
Përmes qytetit rrjedh lumi Osum, i cili i jep një bukuri të veçantë këtij qyteti të gurtë. Ai e freskon në verën e tij të nxehtë dhe me ujërat e tij,ushqen bimësinë për rreth. Ai paraqet interes për bujqësinë, energjetikën, hidrogjeologjinë, ekologjinë dhe urbanistikën. Krijon rrjedhën e tij të plotë pranë Vithkuqit, vend që merret si pika e fillimit të lumit.
Në basenin e Osumit veshja bimore përbëhet nga pisha, bredhi, dushku e shkurre të tjera mesdhetare. Në zonën e Çorovodës e Skraparit krijon kanione vertikale shumë të bukur, me forma të ndryshme, me thellësi deri 150 metra e 15-20 metra të gjera.
Klima
Klima e rrethit është tipike mesdhetare, me temperaturë mesatare vjetore 15.9 °C. Temperatura mesatare e muajve më të ftohtë është 7.2 °C dhe ajo e muajve më të nxehtë 28.2 °C. Temperatura absolute më e ulët ka qenë –12.2 °C dhe ajo maksimale 47.1 °C.
Kështjella
Kështjella ose kalaja, siç quhet nga beratasit është ndërtuar mbi kodrën shkëmbore në formë trekëndëshi, me perimetër të mureve 1440 metra, me 24 kulla e me dy porta. Me themelet e saj ilire, e rindërtuar disa herë në shekujt VI, XIII, XV dhe XIX ajo është sot jo vetëm një nga kështjellat më të mëdha të banuara, por edhe një arkiv i gurtë që ofron varietete stilesh dhe kontributesh të epokave të ndryshme: ilire, romako-bizantine, shqiptare e turke. Kështjella është pjesë e legjendës së vjetër e të bukur të Tomorit dhe Shpiragut.
Ura e Goricës
Ura e Goricës është një nga monumentet e kulturës dhe të arkitekturës së Beratit dhe njëkohësisht një nga simbolet e tij. Rreth viteve 1780 me përkujdesjen e Ahmet Kurt Pashës, nga urë druri në pjesën e sipërme, ajo u ndërtua e gjitha prej guri. Ajo u rindërtua përsëri duke marrë pamjen që ruan sot, me parmakë betoni, në vitin 1922 nga bashkia e qytetit. Është 129,3 metra e gjatë, 5,3 metra e gjerë, ngrihet 10 metra mbi lumë dhe ka 7 harqe me hapësira 9 deri 16,7 metra.
Krahas bukurisë së qytetit është kulinaria, shija e mirë, ajo që i lezeton të gjitha. Në fakt Beratit nuk i mungon kuzhina e mirë. Një recetë e shijshme është “Pula me Rosnica”, që bëhet me thërrime brumi e me pulë fshati; kemi përsheshin me mish gjeldeti në muajt nëntor dhjetor dhe me mish qengji në muajt e tjerë”. E veçanta nuk qëndron te receta e përsheshit, pasi gjithë jugu e gatuan këtë specialitet, por mënyra sesi e gatuajnë beratasit e bën unike këtë recetë. Përpara se ta njomin me lëngun e mishit, ata e skuqin kulaçin e thërrmuar në gjalpë dhe më pas shtojnë lëngun e mishit dhe erëzat që kërkon receta, dhe në fund pjata ka një shije të papërsëritshme. “Ndërsa sheshqeku është një recetë shumë e vjetër”, “por që ne Berat gatuhet vetëm në muajin dhjetor, për shkak të kalorive që ka”. Pjata gatuhet me grurë dhe mish dashi. Mishit i dashit zihet mirë dhe i hiqen kockat. Ndërkohë ziehet gruri dhe më pas bashkohen të dy përbërësit dhe lihen në zjarr derisa nga yndyra, gruri dhe mishi krijojnë një lloj pelteje.
“Një recetë tepër specifike e cila është tepër e shijshme”. Por Berati ka edhe disa receta të tjera specifike. Si për shembull “Anabokshana”, një recetë e përgatitur me mëlçi, oriz dhe erëza. Apo ëmbëlsira unike e që bëhet vetëm në Berat, “Mali i bardhë”, apo siç e pagëzuan turistët, “Mont Blanc”. Një tjetër ëmbëlsirë e veçantë që realizohet me mjeshtëri në Berat është edhe "Likoja". Likoja është një ëmbëlsirë tradicionale e punuar artizanalisht ne shtëpi e cila bëhet me disa lloje frutash, agrumesh e perimesh. Si tradicionale njihet likoja e qershisë, portokallit apo edhe ajo e kumbullës, por Berati eksperimenton në shije tashmë dhe lulet bëhen liko si përshembull petalet e trëndafilit, petalet e lules së portokallit, lulja e lojthatës etj. Të gjitha këto receta mund t’i shijoni vetëm në Berat. Askund tjetër. Mjafton të kërkoni pjatat karakteristike dhe ju sigurojmë se shija e tyre do të jetë unike./Motilokal.com
Fotografitë janë shkrepur nga Alket Islami Air Photoreporter