Temperaturat e ulëta rekord kanë zbritur deri në jug të Floridës këtë mëngjes, ndërsa dëbora e fortë e shtyrë nga era vazhdon të grumbullohet në zonën lindore të Liqeneve të Mëdha, si pasojë e një vale të shkurtër ajri arktik që ka përfshirë lindjen e SHBA-së.
Më shumë se 40 qytete, përfshirë Fort Myers, Miami dhe Naples në Florida, kanë thyer ose barazuar rekorde ditore të ftohtit për datën 11 nëntor.
Në Jacksonville (Florida) dhe Savannah (Georgia) mëngjesi i sotëm ishte më i ftohti në këtë periudhë të hershme të vjeshtës që nga viti 1976, me temperatura që ranë deri në rreth -2°C. Ftohti po ndikon edhe në iguanat e Floridës Jugore, të cilat si specie gjakftohta “ngrinë” duke humbur kontrollin e muskujve dhe në disa raste bien nga pemët. Ato nuk janë të ngordhura, por në një gjendje të përkohshme paralize dhe mund të gjallërohen sërish nëse ajri ngrohet shpejt.
Në veri, kushtet e ftohta kanë shkaktuar reshjet e para të mëdha të dëborës këtë vit në zonën e Liqeneve të Mëdha. Dëbora po krijon vështirësi serioze në qarkullim në pjesët verilindore të Ohajos, veriperëndimore të Pensilvanisë dhe në Nju Jorkun perëndimor.
Në perëndim të Liqeneve të Mëdha, reshjet më të dendura kanë përfunduar. Mbi 30 centimetra dëborë kanë rënë rreth 80 kilometra në jug të Çikagos, ndërsa zonat veriore të qytetit, nga verilindja e Illinois deri në juglindje të Wisconsin-it, kanë marrë mbi 25 centimetra. Autoritetet raportuan kushte të rrezikshme në rrugë për shkak të dëborës dhe erërave të forta të hënën në mëngjes në afërsi të autostradës I-57 në jug të Çikagos. Vetë qyteti mori rreth 3–8 centimetra dëborë, e shoqëruar me bubullima dhe erë të fortë të dielën në mbrëmje. Parashikimet fillestare flisnin për mbi 25 centimetra dëborë në Çikago, por brezat më të fortë të reshjeve kaluan jashtë qendrës së qytetit.
Në pjesë të tjera, mbi 30 centimetra dëborë ranë në Gadishullin e Epërm të Michigan-it dhe në veriperëndim të Indianas. Disa centimetra dëborë u grumbulluan edhe në Apalashe, nga Virxhinia Perëndimore deri në kufirin mes Karolinës së Veriut dhe Tenesit. Qyteti Knoxville (Tennessee) përjetoi të hënën dëborën më të hershme që grumbullohet që nga viti 1996. Dëborë e lehtë është parë edhe pranë zonës metropolitane të Atlantës dhe mëngjesin e së martës në Wilmington të Karolinës së Veriut.
Një ndryshim i madh temperaturash pritet në ditët në vijim. Në pjesën qendrore dhe jugore të SHBA-së temperaturat do të ngrihen ndjeshëm nga e enjtja e tutje, me afrimin e erërave të ngrohta nga jugu. Temperaturat pritet të jenë 5 deri në 15°C mbi mesataren në disa zona nga fusha qendrore deri në Midwest të premten dhe të shtunën. Disa qytete që sapo panë dëborën e parë, si Dubuque (Iowa) dhe Rockford (Illinois), mund të arrijnë temperatura afër 21°C në fundjavë.
Në Nashville (Tennessee) pritet që deri të premten temperaturat maksimale të shkojnë rreth 22°C, rreth 5°C mbi mesataren. Në pjesën jugore të Floridës termometri mund të ngjitet në 26–28°C gjatë fundjavës.
Megjithatë, verilindja e vendit pritet të mbetet më e ftohtë se zakonisht deri në fund të javës.
/Motilokal.com
