Sipas të dhënave më të fundit nga IGJEO dhe SHMU, kjo javë do të shoqërohet me reshje të dendura në të gjitha qarqet e vendit. Parashikohen shtrëngata, ndërsa në disa zona malore reshjet do të kthehen në borë.
Të hënën, më 17 nëntor 2025, reshje mesatare deri në disa zona intensive priten në Shkodër, Lezhë dhe Vlorë. Në Kukës, Dibër, Durrës, Tiranë dhe Gjirokastër reshjet do të jenë të dobëta deri mesatare dhe herë pas here me shtrëngata. Qarqet e tjera do të kenë reshje të dobëta, me rritje të intensitetit pasditen e vonë.
Të martën, më 18 nëntor, reshjet shtohen në të gjithë territorin. Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër pritet të përballen me reshje intensive deri shumë intensive. Në Lezhë reshjet do të jenë intensive, ndërsa në Dibër, Durrës dhe Tiranë mesatare deri lokalisht intensive. Pjesa tjetër e vendit do të ketë reshje të dobëta deri mesatare. Shtrëngatat do të jenë të pranishme kudo.
Të mërkurën, më 19 nëntor, vendi përfshihet nga reshje me intensitet të lartë. Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër mbeten zonat më të prekura me reshje intensive deri shumë intensive. Qarqet e tjerë do të kenë reshje mesatare deri intensive të shoqëruara me shtrëngata.
Të enjten, më 20 nëntor, reshjet fillojnë të biejnë në intensitet. Në Shkodër, Vlorë dhe Gjirokastër priten reshje të dobëta deri mesatare, ndërsa pjesa tjetër e vendit do të ketë reshje të dobëta.
Në zonat mbi 400 metra lartësi në Veri, Lindje dhe Juglindje parashikohen reshje dëbore, duke rritur rrezikun për ngrica dhe vështirësi në qarkullimin rrugor.
Parashikimet hidrometeorologjike tregojnë se në basenin e Drinit, sasia e reshjeve mund të arrijë deri në 150–200 mm në Fierzë dhe deri në 300 mm në Koman dhe Vau i Dejës.
Ministria e Mbrojtjes, përmes Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, kërkon nga të gjitha strukturat vendore dhe qendrore të marrin masa parandaluese ndaj përmbytjeve, të jenë në gatishmëri të plotë për çdo situatë të papritur dhe të ruajnë koordinimin ndërinstitucional për menaxhimin e emergjencave.
Bashkitë janë vënë në nivel gatishmërie maksimale në përputhje me rrezikun e lartë nga reshjet, përmbytjet dhe rrëshqitjet e dherave.
Strukturat e emergjencave civile do të njoftojnë publikun rregullisht për çdo zhvillim të ri. Qytetarët në zonat e rrezikuara këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ditëve me reshje intensive.
/Motilokal.com
