Vërshimet dhe ujërat fekale në Prishtinë, KRU “Prishtina” sqaron situatën

Vërshimet dhe ujërat fekale në Prishtinë, KRU “Prishtina” sqaron situatën

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” njofton qytetarët lidhur me gjendjen e linjave të kanalizimit pas reshjeve të fundit atmosferike. Sipas kompanisë, një pjesë e madhe e linjave të ujërave fekale janë të vjetra dhe janë ndërtuar shumë kohë më parë. Sistemet e kanalizimeve janë të përbashkëta për ujërat atmosferikë dhe fekale, gjë që rëndon funksionimin e tyre gjatë reshjeve të dendura.

“Qyteti ka pësuar ndryshime të mëdha në ndërtime dhe rritje të numrit të banorëve, ndërkohë që linjat e përbashkëta duhet të ndahen për të përmirësuar menaxhimin e ujërave”, shpjegon KRU “Prishtina”.

Kompanisë i është caktuar një buxhet për investime në këtë sektor, përfshirë riparime, debllokime dhe mirëmbajtje të pusetave të ujërave fekale. Ekipet profesionale të KRU “Prishtina” janë të gatshme për të intervenuar çdo herë që është e nevojshme. Megjithatë, kompania nuk ka përgjegjësi për ndërtimin ose mirëmbajtjen e rrjetit të kanalizimeve atmosferike, kjo duke qenë kompetencë e Komunës së Prishtinës.

KRU “Prishtina” është në bashkëpunim të vazhdueshëm me Drejtorinë për Investime Kapitale të komunës për koordinimin e veprimeve në zonat më problematike.

Për qytetarët, kompania këshillon kujdes të shtuar gjatë reshjeve të dendura: nuk duhet të hapen pusetat e kanalizimeve, pasi kjo mund të shkaktojë depërtimin e ujërave në banesa dhe dëme të tjera.

“Debllokimet e pusetave të ujërave fekale kryhen nga ekipet tona, por vërshimet nuk ndodhin për shkak të punës ose përgjegjësisë tonë”, theksojnë nga KRU “Prishtina”.

/Motilokal.com