Ndërsa kriza klimatike e bën motin gjithnjë e më ekstrem, arkitektura dhe klima mbeten gjithmonë të lidhura. Çdo ndërtesë, nga strehët më të hershme deri te objektet moderne, në një mënyrë apo tjetër është ndërtuar si përgjigje ndaj motit dhe kushteve të mjedisit. Sot, ndryshimet klimatike, temperaturat ekstreme dhe kërkesa për kursim energjie e bëjnë këtë lidhje edhe më të fortë. Mënyra si projektojmë dhe ndërtojmë nuk mund të shkëputet nga klima e vendit ku jetojmë. Nëse një objekt nuk merr parasysh motin, orientimin ndaj diellit, materialet dhe kushtet lokale, ai jo vetëm humb funksionin e tij, por shndërrohet në kosto dhe problem afatgjatë. Prandaj, arkitektura moderne po e sheh klimën jo si sfidë, por si pikënisje të domosdoshme për një ndërtim të zgjuar, efikas dhe të qëndrueshëm.
Për ta kuptuar më mirë lidhjen mes arkitekturës dhe klimës, motilokal.com zhvilloi një intervistë me arkitektin Arsim Gërxhaliun, i cili ndau përvojën dhe këndvështrimin e tij mbi mënyrën si ndërtohet sot duke marrë parasysh motin dhe mjedisin.
Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj
Si e shihni lidhjen mes arkitekturës dhe kushteve klimatike, sa ndikojnë kushtet e motit në mënyrën si projektojmë dhe ndërtojmë sot?
Lidhja mes arkitekturës dhe kushteve klimatike është organike dhe e pandashme. Ajo ka ekzistuar që nga fillesat e arkitekturës dhe ka shoqëruar zhvillimin e saj përgjatë gjithë historisë. Në thelb, arkitektura ka shërbyer fillimisht si mjet strehimi dhe mbrojtjeje, pra si reagim i drejtpërdrejtë ndaj kushteve klimatike.
Në këtë kuptim, kushtet klimatike janë përcaktuar si një shoqëruese konstantë e shfaqjes dhe evolucionit të arkitekturës, nga zanafilla e deri në ditët e sotme. Arkitektura e qëndrueshme nuk mund të konceptohet pa marrë parasysh kushtet e motit dhe karakteristikat klimatike të vendit ku ndërtohet.
Sa është e rëndësishme që ndërtesat të përshtaten me klimën dhe mjedisin ku ndërtohen?
Kjo përshtatje jo vetëm që është e rëndësishme, por në fakt është edhe e domosdoshme për fushën e arkitekturës dhe ndërtimit. Nëse një objekt i ndërtuar nuk u përgjigjet kushteve klimatike lokale në vendin ku ndërtohet, ai konsiderohet një dështim profesional dhe shndërrohet në barrë ekonomike për pronarët dhe shfrytëzuesit e tij.
Në thelb, qëllimi i arkitektit është që, me një kosto optimale, të arrihet një zgjidhje sa më funksionale dhe estetike për objektin. Brenda sferës funksionale, ndër komponentët e tjerë, përfshihet edhe reagimi i duhur i objektit ndaj kushteve klimatike.
A mendoni se ndërtimi i sotëm po e merr mjaftueshëm parasysh klimën dhe ndryshimet meteorologjike?
Kjo është disi relative dhe lidhet ngushtë me vendin ku ndërtohet. Në përgjithësi mund të thuhet se po, ndërtimi bashkëkohor i merr parasysh klimën dhe ndryshimet meteorologjike. Në vendet e zhvilluara kjo tashmë është shndërruar në një disiplinë të veçantë. Brenda fushës së efiçiencës së energjisë së objekteve bëhen studime dhe aplikohen materiale të përshtatshme për mikroklima të ndryshme.
Ndërsa në vendet ku sistemi i kontrollit të ndërtimit shënon ngecje, siç janë edhe shumica e vendeve të rajonit tonë, përfshirë edhe vendin tonë, aplikimi i masave efiçiente mbetet i mangët. Si pasojë, ndërtohen objekte që krijojnë barrë dhe kosto të vazhdueshme ekonomike.
Megjithatë, në përgjithësi, mund të thuhet se ndërtimi sot, në masë të madhe, e merr parasysh klimën dhe ndryshimet klimatike.
Si mund të kombinohet estetika dhe funksionaliteti i arkitekturës me përshtatjen ndaj kushteve klimatike?
Përshtatja ndaj kushteve klimatike është pjesë e funksionalitetit të objektit. Sot, me gamën e gjerë të materialeve që kemi në dispozicion, edhe arritja e komponentës estetike, duke marrë parasysh klimën, është pothuajse shumë e lehtë.
Megjithatë, kur flasim për komponentën funksionale dhe atë estetike, aspekti i efiçiencës energjetike të objektit mbetet gjithmonë i detyrueshëm. Si rezultat, ai bëhet dominues ndaj të gjitha kritereve të tjera, përfshirë edhe ato estetike.
Në këtë kuptim, përshtatja ndaj kushteve klimatike lokale është e domosdoshme dhe ka përparësi ndaj faktorëve estetikë. Por, ashtu siç u përmend më herët, falë materialeve të shumta që sot janë të disponueshme, arritja e të dyja komponentëve është shumë më e lehtë.
Sa është e njohur apo e aplikuar kjo qasje në Kosovë (ose në rajon)?
Siç e përmenda më herët, kjo në vetvete është një disiplinë e veçantë, e njohur si fizikë arkitektonike apo efiçiencë e energjisë, varësisht si quhet. Zbatimi i këtyre masave është i detyrueshëm, edhe në Kosovë kërkohet me ligj.
Megjithatë, zbatimi i tyre në terren shpesh has në mangësi, sepse institucionet publike ende nuk kanë ndërtuar mekanizma të mjaftueshëm për kontroll. Ndonjëherë mungon mbikëqyrja edhe për aspektin strukturor të objekteve, e aq më tepër për aplikimin e masave të efiçiencës energjetike.
Nëse e shohim në përgjithësi, sot, ta zëmë në vitin 2025 dhe vitet e fundit situata është dukshëm më e mirë se më parë. Zbatimi i këtyre masave po përmirësohet dita-ditës dhe objektet po ndërtohen shumë më mirë sesa kanë qenë dikur.
Si ndikon klima në zgjedhjen e materialeve ndërtimore?
Është një komponentë thelbësore në zgjedhjen e materialeve ndërtimore dhe pikërisht kjo krijon dallimin mes objekteve. Një objekt i ndërtuar në Kosovë dallon nga një objekt i ndërtuar, për shembull, në Skandinavi apo në një rajon të Azisë. Kushtet klimatike janë përcaktuese si për zgjedhjen e materialeve, ashtu edhe për mënyrën se si objekti funksionon më vonë, përfshirë edhe aspektin strukturor.
Në këtë kuptim, klima jonë është mjaft specifike sa i përket përzgjedhjes së materialeve. Nuk është gjithmonë e lehtë dhe e favorshme për zgjedhje të thjeshta, por patjetër ndikon shumë dhe është një komponent që duhet të merret seriozisht parasysh.
Cilat janë disa shembuj konkretë të ndërtesave që përshtaten mirë me motin tonë?
Sot kemi mjaft shembuj pozitivë në tregun tonë të ndërtimit. Nuk është e nevojshme të përmenden objekte konkrete, sepse tregu është përmirësuar dukshëm dhe shembuj të tillë janë të shumtë.
Këtu ka ndikuar edhe fakti se shpesh ekzistojnë kërkesa të pakalueshme nga vet përdoruesit e objekteve. Për shembull, nëse një objekt duhet të shfrytëzohet nga institucione ndërkombëtare, ai patjetër duhet të ketë çertifikata të efiçiencës së energjisë ose çertifikata të qëndrueshmërisë, përveç kërkesave strukturore dhe komponentëve të tjerë teknikë, në mënyrë që të mund të merret me qira ose të blihet nga këto institucione.
Prandaj, në këtë aspekt mund të thuhet se ka mjaft shembuj të mirë sot.
A mund të tregoni se si mund të projektohet një shtëpi që ruan freskinë verës dhe ngrohtësinë dimrit pa shumë konsum energjie?
Në thelb, kjo paraqet gjithë përpjekjen dhe synimin e arkitektit për të arritur një vepër të qëndrueshme. Një objekt arkitektonik konsiderohet i suksesshëm kur, në aspektin energjetik, arrin të jetë efikas duke ruajtur freskinë në verë dhe ngrohtësinë në dimër, pa konsum të tepruar të energjisë. Nëse kjo arrihet me kosto optimale, atëherë përmbushet qëllimi kryesor që çdo arkitekt apo inxhinier i vendos vetes para se të nisë procesin e projektimit.
Kjo është e mundur vetëm kur zbatohen materiale ndërtimore të përshtatshme, që u përgjigjen kushteve tona klimatike lokale. Siç u përmend më herët, klima jonë nuk është e thjeshtë për performancën afatgjatë të materialeve, sepse ka katër stinë dhe shpesh sjell temperatura ekstreme. Ne mund të kemi intervale nga -20°C në dimër deri në +40°C në verë. Brenda këtij spektri, materialet pësojnë ndryshime të mëdha dhe reagime të forta, prandaj performanca e tyre nuk është gjithmonë e lehtë për t’u siguruar.
Pikërisht për këtë arsye, zona jonë klimatike kërkon një përkushtim të lartë nga arkitektët dhe inxhinierët, në mënyrë që objektet të jenë të qëndrueshme si në aspektin e konsumit të energjisë, ashtu edhe në jetëgjatësinë e tyre.
Megjithatë, sot kemi performanca shumë më të mira falë përdorimit të materialeve termoizoluese adekuate. Këto i mundësojnë objekteve të ruajnë freskinë në verë dhe ngrohtësinë në dimër në mënyrë shumë më efikase.
Sa e rëndësishme është orientimi i ndërtesës ndaj diellit dhe erës?
Përveç përzgjedhjes adekuate të materialeve, një element shumë i rëndësishëm është edhe orientimi i duhur i objektit në raport me anët gjeografike. Nëse një objekt nuk ka orientim të mirë ndaj diellit, performanca e tij energjetike bie ndjeshëm në të gjitha stinët.
Në zonën tonë, objektet që arrijnë të kenë hapjet kryesore, dritaret të orientuara drejt jugut, dhe në masë të caktuar edhe drejt juglindjes dhe jugperëndimit, sigurojnë një performancë shumë të mirë energjetike. Ndërkohë, në anët veriore zakonisht orientohen dhomat ose hapësirat sekondare, që nuk kërkojnë ngrohje ose diell të vazhdueshëm gjatë gjithë ciklit ditor.
/Motilokal.com
