Qendra e Skive Brezovica po hyn në sezonin e ri dimëror e përgatitur dhe e rinovuar, pas një viti investimesh të qëndrueshme dhe bashkëpunimi mes Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe NSH “Inex Sharr Planina – Brezovica”.
Infrastruktura e qasjes dhe përgatitja e pistave është ngritur në një nivel të lartë, duke sjellë për vizitorët një përvojë më moderne dhe efikase. Është instaluar dhe testuar sistemi i ri inteligjent i kontrollit të qasjes, i prodhuar nga kompania franceze DAG Systems, i cili ofron hyrje më të shpejtë në teleferik dhe ski-lift përmes QR Code dhe Long Range RFID. Kartela e vetme prej 2 eurosh mund të ripërdoret dhe të rimbushet online, duke eliminuar radhët dhe pritjet.
Në terren, dy rrafshues bore Pistenbully 600 të gjeneratës së fundit do të mbajnë pistat në formë perfekte sipas standardeve bashkëkohore të industrisë së skive.
Me këto investime, Brezovica synon të rikthehet si destinacioni kryesor i turizmit malor në rajon dhe të ofrojë një eksperiencë dimërore me standarde europiane.
/Motilokal.com
