Prej sot fillon zbatimi i sistemit "Qyteti i Sigurt"

Prej sot fillon zbatimi i sistemit "Qyteti i Sigurt"

Duke nisur nga sot, kamerat e sistemit “Qyteti i Sigurt” fillojnë regjistrimin e shkeljeve. Ministria e Brendshme po vendos në funksion projektin “Qytet i Sigurt, Shtet i Sigurt”, që do të identifikojë automatikisht shkeljet e trafikut dhe do të ndëshkojë përgjegjësit. Deri në fund të vitit do të ketë vetëm paralajmërime, ndërsa nga janari sistemi hyn plotësisht në fuqi.

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Goce Andreevski, thekson se për shkeljet e kapura nga kamerat nuk do të ketë asnjë tolerancë. Çdo tejkalim i shpejtësisë do të trajtohet sipas ligjit, pavarësisht nëse ndodh në zonë të banuar apo jashtë saj.

Çdo pronar automjeti që kapet në shkelje do të marrë njoftim me SMS dhe email, së bashku me linkun për shkarkimin e raportit dhe urdhrit të pagesës. Brenda tetë ditësh nga marrja e njoftimit, mund të paguhet gjysma e gjobës. Pas këtij afati, shuma plotësohet brenda tetë ditëve të tjera, përpara nisjes së procedurës së detyrueshme të mbledhjes. Pagesat mund të bëhen edhe online, dhe sistemi e konfirmon menjëherë pagesën tek Ministria.

Sanksionet do të zbatohen sipas Ligjit për Sigurinë në Trafikun Rrugor, i cili tashmë lejon dokumentimin elektronik të shkeljeve, pa tolerancë dhe në çdo vend ku regjistrohen. Fillimisht do të evidentohen tejkalimet e shpejtësisë, kalimi me të kuqe, dokumentet e skaduara të automjetit dhe parkimi i paligjshëm. Në fazën e dytë pritet zgjerimi i listës së shkeljeve që sistemi do të detektojë.

Vitet e fundit ka pasur një numër të madh aksidentesh të rënda me këmbësorë, shpesh në vijat e kalimit, për shkak të shpejtësisë së lartë. Një tjetër shqetësim është parkimi pa leje, që bllokon trotuaret dhe korsitë e biçikletave.

Sipas paralajmërimit të ministrit Toshkovski, fillimisht me kamera do të mbulohen Shkupi, Tetova dhe Kumanova, si edhe autostradat përgjatë korridoreve “8” dhe “10”. Synimi është që deri në mesin e vitit të ardhshëm të mbulohet i gjithë vendi.

Teknologjia nuk do të ketë mëshirë ndaj shkelësve. Qëllimi është një trafik më i sigurt dhe një qarkullim më i rregullt. Nëse kjo do të ndikojë te sjellja e shoferëve, do të shihet që nga javët e para të zbatimit.

/Motilokal.com