GGK: Kosova po shpyllëzohet – këto janë komunat më të prekura

GGK: Kosova po shpyllëzohet – këto janë komunat më të prekura

Grupi i Kosovës për Sisteme Gjeografike të Informacionit ka publikuar të dhënat më të reja për ndryshimet në sipërfaqet pyjore gjatë viteve 2000–2023, bazuar në analizat e Hansen Global Forest Change.

Raporti tregon se vendi ka humbur ndjeshëm pyje në dy dekadat e fundit. Nga viti 2001 deri në vitin 2023 janë zhdukur rreth 152 kilometra katrorë sipërfaqe pyjore, ndërsa në të njëjtën kohë janë shtuar vetëm 56 kilometra katrorë pyje të reja.

Sipas GGK, zonat më të prekura nga shpyllëzimi janë Prishtina, Gjakova, Peja dhe Podujeva, ku ndikimi në biodiversitet, ekosistemet pyjore dhe klimën lokale është veçanërisht i thellë.

Në këtë përditësim theksohet nevoja urgjente për projekte serioze të ri­pyllëzimit dhe menaxhimit të qëndrueshëm të pyjeve, si pjesë e domosdoshme për mbrojtjen e natyrës dhe përgjigjen klimatike të vendit.

GGK kërkon më shumë angazhim nga institucionet dhe shoqëria për ruajtjen e pasurisë pyjore, duke e vlerësuar atë si një prej resurseve më të rëndësishme natyrore të Kosovës.


/Motilokal.com