Groenlanda njihet si ishulli më i madh në botë. Kështu e kemi mësuar në shkollë dhe kështu shfaqet në hartat që na rrethojnë, nga klasat deri te postimet në rrjetet sociale.
Por çfarë ndodh kur kupton se Afrika është në të vërtetë 14 herë më e madhe se Groenlanda? Ose se Rusia, që në hartë duket gjigante dhe thuajse përpin Evropën, është në realitet dy herë më e vogël se Afrika? Harta na i jep këto përmasa të shtrembëruara duke i paraqitur pothuajse të barabarta.
E gjithë kjo lidhet me një emër që ndikoi në mënyrën si e shohim botën prej pesë shekujsh. Mercator.
Një njeri që pa qëllim u bë “inxhinieri” i perceptimit tonë gjeografik
Gerardus Mercator, i lindur në vitin 1512 në Flandër, jetoi në një epokë kur Evropa sapo po zbulonte se nuk ishte qendra e botës. Anijet niseshin drejt territoreve të panjohura, perandoritë po zgjeroheshin përtej oqeaneve dhe nevoja për harta të sigurta ishte e madhe. Lundrimi varej prej tyre.
Mercatori ishte i apasionuar pas matematikës dhe gjeometrisë. Ai e kuptoi se një glob nuk mund të shtrihet në letër pa deformime. Duhej të zgjidhte: saktësi në madhësi apo saktësi në drejtim. Ai zgjodhi të dytën. Në vitin 1569 krijoi projeksionin e tij të famshëm, atë që sot njihet thjesht si harta e Mercatorit. Ajo sakrifikonte përmasat reale sidomos afër poleve për të fituar diçka shumë të vlefshme për detarët. Vija të drejta.

Në këtë hartë, kur ndjek një drejtim me busull, ai shfaqet si vijë e drejtë. Kjo u kursente gabime anijeve që kalonin Atlantikun. Misione më të sigurta, më pak humbje, udhëtime më të parashikueshme. Kjo hartë nuk ishte bërë për shkolla apo për të dhënë ndjenjën e madhësisë së shteteve. Ishte bërë për detin. Megjithatë, me kalimin e viteve, u bë standardi i botës.
Pikërisht këtu lind paradoksi
Si ndodh që Afrika me 30 milionë kilometra katrorë duket thuajse sa Rusia me 17 milionë? Apo që Groenlanda, pak më e madhe se Egjipti, shfaqet si një gjigant i akullt? Sepse projeksioni zgjatet gjithnjë e më shumë ndërsa ngjitesh drejt poleve. Zona pranë ekuatorit duken më afër realitetit, kurse rajonet e veriut fryhen deri në absurd.
Kështu u krijua një perceptim që shkoi shumë përtej lundrimit. Kur sheh Hartën e Mercatorit, Evropa dhe Amerika e Veriut duken më të mëdha e më qendrore, ndërsa zonat pranë ekuatorit shfaqen të vogla, edhe pse në realitet janë shumë më të mëdha. Kjo ndikoi te arsimi, te politika, madje edhe te mënyra si vendet e shihnin veten.
Studiues të shumtë e kanë quajtur këtë një ngarkesë të padukshme gjeopolitike. Jo sepse Mercator kishte qëllime të tilla. Thjesht sepse çdo hartë është edhe një interpretim. Ai vetë, njeri i devotshëm dhe i kujdesshëm, ndoshta as nuk do ta kishte imagjinuar se projekti i tij teknik do të bëhej harta “zyrtare” e botës për shekuj me radhë.

Më vonë u krijuan projeksione të tjera që kërkuan të korrigjojnë shtrembërimet. Gall–Peters vendosi theks te sipërfaqet reale. Robinson u përpoq të gjejë një mes të artë mes pamjes dhe saktësisë. Por, edhe pse ekzistojnë qindra alternativa, harta e Mercatorit vazhdon të mbetet më e njohura. Ndoshta ngaqë jemi rritur me të, ndoshta sepse sistemi botëror e përdori për kaq gjatë.
Teknikisht, Mercatori nuk gënjen. Ai bën një zgjedhje. Një mënyrë për të vendosur një botë sferike në një sipërfaqe të sheshtë duke ndihmuar lundrimin. Fakti që kjo zgjedhje ka ndikuar perceptimin tonë për madhësinë e vendeve, thjesht na kujton se hartat janë mjete. Dhe çdo mjet ka kufij.
Prandaj, kur e sheh Groenlandën të duket sikur i del ballë Afrikës, mjafton ta kujtosh këtë. Një hartë e krijuar për anije në shekullin e 16-të vazhdon ende sot të formësojë mënyrën si ne e shohim botën.
/Motilokal.com


