Lura nën petkun e borës, destinacion edhe në dimër

Lura nën petkun e borës, destinacion edhe në dimër

Parku Kombëtar i Lurës është mbuluar nga dëbora dhe ka marrë një pamje që të ndal sytë. Liqenet akullnajore dhe pyjet e dendur janë zbardhur nga reshjet e ditëve të fundit, duke e kthyer zonën në një prej peizazheve më të bukura të dimrit.

Kryeministri Edi Rama publikoi një foto nga Lura, duke e quajtur “pamje përrallore”, dhe me të vërtetë ashtu duket. Dimri i jep këtij parku një tjetër frymë dhe e kthen në një destinacion ideal për ata që duan qetësi dhe natyrë të pastër.

Këtu ndërthuren bukuria e terrenit, tradita dhe freskia e liqeneve që shtrihen mes maleve. Lura ndodhet në verilindje të Shqipërisë dhe shtrihet në një sipërfaqe prej 12.8 km², duke përfshirë edhe pjesën lindore të Kurorës së Lurës. Në këtë zonë gjenden 14 liqene akullnajore, të vendosura në lartësi nga 1350 deri në 1720 metra, që krijojnë një mjedis vërtet piktoresk.

Parku është zgjeruar edhe me liqenin e Zall Gjoçajt dhe sot njihet si Parku Kombëtar “Lurë–Mali i Dejës”, me një sipërfaqe mbi 20 mijë hektarë.


/Motilokal.com