Pneumonia është një formë e infeksionit akut respirator që prek mushkëritë. Mushkëritë përbëhen nga qeska të vogla të quajtura alveola, të cilat mbushen me ajër kur një person i shëndetshëm merr frymë. Kur një person ka pneumoni, alveolat mbushen me qelb dhe lëng, duke e bërë të vështirë frymëmarrjen dhe duke kufizuar marrjen e oksigjenit.
Shkaqet e pneumonisë
Streptococcus pneumoniae është shkaku më i zakonshëm i pneumonisë bakteriale tek fëmijët. Haemophilus influenzae tipi b (Hib) është shkaku i dytë më i zakonshëm i pneumonisë bakteriale. Virusi respirator sincicial është shkaku viral më i zakonshëm i pneumonisë.
Pneumonia mund të përhapet në disa mënyra. Viruset dhe bakteret që normalisht gjenden në hundë ose fyt mund të përhapen në mushkëri nëse thithen. Ato gjithashtu mund të përhapen nëpërmjet pikave në ajër kur një person kollitet ose teshtin. Pneumonia mund të përhapet edhe nëpërmjet gjakut, veçanërisht gjatë dhe menjëherë pas lindjes.
Pneumonia mund të prekë këdo, por fëmijët dy vjeç e poshtë dhe njerëzit 65 vjeç e lart janë në rrezik më të madh.
Simptomat e pneumonisë tek fëmijët
Pneumonia tek fëmijët karakterizohet përgjithësisht nga një kollë e thellë dhe produktive. Fëmija ka shumë të ngjarë të kollitet me mukus, dhe foshnjat dhe fëmijët e vegjël shpesh mbyten dhe vjellin mukusin që kanë gëlltitur.
Shenja të tjera të zakonshme të pneumonisë tek fëmijët përfshijnë: ethe, dhimbje gjoksi, lodhje, ulje të oreksit, të dridhura, dhimbje koke dhe dobësi.
Në pneumoninë bakteriale, këto simptoma duket se shfaqen mjaft papritur, ndërsa në pneumoninë virale, simptomat janë më graduale dhe përkeqësohen ngadalë me kalimin e kohës.
Simptomat e hershme të pneumonisë virale janë të njëjta me ato të pneumonisë bakteriale. Por me pneumoninë virale, problemet e frymëmarrjes shfaqen ngadalë. Fëmija mund të ketë fishkëllima dhe kolla mund të përkeqësohet. Pneumonia virale mund ta vërë fëmijën në rrezik më të lartë për pneumoni bakteriale.
Simptomat e pneumonisë tek të rriturit
Shenjat dhe simptomat e pneumonisë variojnë nga të lehta në të rënda, varësisht nga faktorë të tillë si lloji i mikrobit që shkakton infeksionin, mosha dhe shëndeti i përgjithshëm. Shenjat dhe simptomat e lehta shpesh janë të ngjashme me ato të një ftohjeje ose gripi, por zgjasin më shumë.
Simptomat e pneumonisë bakteriale mund të zhvillohen gradualisht ose papritur, dhe përfshijnë: temperaturë të lartë (pneumonia pa ethe është e rrallë), kollë me mukus të verdhë, të gjelbër ose me gjak, lodhje, frymëmarrje të shpejtë, gulçim, rrahje të shpejta të zemrës, djersitje ose të dridhura, dhimbje gjoksi dhe/ose dhimbje barku, veçanërisht kur kolliteni ose merrni frymë thellë, humbje të oreksit, lëkurë, buzë ose thonj të kaltërosh, konfuzion ose gjendje mendore të ndryshuar.
Simptomat e pneumonisë virale zakonisht zhvillohen gjatë disa ditëve. Simptoma të tjera mund të përfshijnë: kollë të thatë, dhimbje koke, dhimbje muskujsh dhe lodhje ose dobësi ekstreme.
Të rriturit mbi 65 vjeç ose ata me sistem imunitar të dobësuar mund të kenë simptoma të lehta ose më pak të dukshme të pneumonisë (si kollë dhe gulçim). Simptomat e gjendjeve ekzistuese mjekësore mund të përkeqësohen. Të moshuarit mund të përjetojnë: ndryshime të papritura në gjendjen mendore, ulje të oreksit dhe lodhje.
/Motilokal.com
