Një eklips i rrallë total diellor po afron, me një gjatësi të jashtëzakonshme që i tejkalon eklipset e mëparshme diellore dhe atë që do të ndodhë në vitin 2026. Eklipsi në prill 2024, i dukshëm mbi Amerikën e Veriut, zgjati 4 minuta e 28 sekonda, ndërsa ai që do të prekë Spanjën në gusht 2026 do të zgjasë vetëm 1 minutë e 43 sekonda. Të dy do të eklipsohen nga ngjarja që do të pasojë në vitin 2027.
Egjipti do të jetë në qendër të ngjarjeve
Kalendari i eklipseve të NASA-s rendit 2 gushtin 2027 si datën e eklipsit total diellor më të gjatë në njëqind vitet e fundit. Faza e tij totale do të zgjasë 6 minuta e 23 sekonda dhe do të vendosë pjesë të Evropës, Afrikës së Veriut dhe Lindjes së Mesme në hijen e Hënës.
Sipas hartave të NASA-s, shtegu fillon në Marok dhe Spanjën jugore, vazhdon përmes Algjerisë, Tunizisë, Libisë, Egjiptit dhe Arabisë Saudite, dhe përfundon mbi Jemen dhe bregdetin e Somalisë. Periudha më e gjatë e errësirës do të regjistrohet në Egjipt, veçanërisht në qytetet e Luksorit dhe Asuanit në Egjiptin jugor, raporton portali Wired.
Pavarësisht teorive të shpeshta konspirative që shoqërojnë çdo eklips, ato nuk ndikojnë në shëndet dhe as nuk ndryshojnë vetitë fizike të planetit tonë. Është një fenomen astronomik natyror dhe i parashikueshëm që rezulton nga rreshtimi i Diellit, Hënës dhe Tokës. Fenomene të ngjashme janë regjistruar edhe në Mars dhe në vetë Hënën, kur sipërfaqja e satelitit tonë natyror mbulohet nga hija e Tokës.
Eklipse të tjera të gjata diellore në shekullin e 21-të
NASA rendit eklipset e tjera me kohëzgjatje të gjatë që do të ndodhin gjatë shekullit aktual. Ja rendi i tyre kronologjik:
- 12 gusht 2045, kohëzgjatja 6:06 minuta
- 30 prill 2060, kohëzgjatja 5:12 minuta
- 24 gusht 2063, kohëzgjatja 5:49 minuta
- 11 maj 2078, kohëzgjatja 5:40 minuta
- 3 shtator 2081, kohëzgjatja 5:33 minuta
- 22 maj 2096, kohëzgjatja 6:06 minuta.
/Motilokal.com
