Në Greqi, edhe zonat më veriore zakonisht nuk përballen me dimra të egër. Por Kato Nevrokopi bën përjashtim. Aty ngricat janë aq të ulëta çdo vit, sa fshati është quajtur prej kohësh Siberia e Greqisë. Në vitin 2021, këtë emër e përdori edhe kryetari i bashkisë në një letër drejtuar Ministrisë së Financave.
Temperatura që të mpijnë fytyrën
Nuk është rastësi që fshati e ka marrë këtë nofkë. Për Krishtlindjet e vitit 2021, termometri zbriti në -11°C. Natën e ndërrimit të viteve në 2019 u regjistruan -21°C. E njëjta vlerë ishte shënuar edhe në dhjetor të 2005. Në janar 2017, banorët e përfunduan muajin me -18°C. Ka edhe pretendime për -28°C, por ato nuk janë konfirmuar. Rekordi zyrtar i Greqisë mbetet -27.8°C, i matur në Ptolemaidë në vitin 1963.
Fshati ku bora zbret edhe në qershor
Kato Nevrokopi nuk njihet vetëm për të ftohtin, por për kohëzgjatjen e tij. Dimri shpesh shtrihet deri në shtatë muaj. Në vitin 1996, bora ra në fund të qershorit, një ngjarje aq e rrallë sa u kthye në pyetje në “Kush do të bëhet milioner”.
Pse kaq shumë ftohët
Rrafshnalta e Nevrokopit ndodhet në rreth 559 metra lartësi dhe mbyllet nga male në të gjitha anët. Kjo formë lejon që ajri i ftohtë të ngelet i bllokuar për ditë të tëra, duke krijuar një mikroklimë që i ngjan stepave të largëta. Për këtë arsye, i ftohti atje është i pandalshëm.
Jeta e përditshme në acar
Rreth 2157 banorët e fshatit e kanë të zakonshme që dimri të nisë në tetor dhe të zgjasë deri në prill, madje edhe në maj. Bora arrin deri në dy metra. Sipas vendasve, sfida më e madhe nuk është bora, por kostot e larta të ngrohjes.
Patatja që e bëri zonën të njohur
Edhe pse klima është e ashpër, ka sjellë edhe diçka të vlefshme. Patatet e Kato Nevrokopit janë të famshme në gjithë Greqinë dhe Evropën. Që nga viti 2002 janë të certifikuara si produkt me origjinë të mbrojtur. Bora e gjatë nuk lejon mbjellje të dyfishta dhe toka pushon më shumë. I ftohti i bën patatet më të forta, më të pasura me amidon dhe me shije më të mirë. Varietetet Spunta, Agria dhe Lizeta janë kthyer në identitet të zonës.
/Motilokal.com
