Si e gjejnë rrugën breshkat e detit?

Si e gjejnë rrugën breshkat e detit?

Breshkat e detit Loggerhead, e famshmja Caretta caretta, ndërmarrin migrime që zgjasin dekada, duke udhëtuar mijëra kilometra gjatë jetës së tyre, një udhëtim i pafund që fillon sapo vezët e tyre çelin dhe breshkat e vogla hyjnë për herë të parë në ujë.

Ne e kemi ditur prej vitesh se ato mund të lundrojnë në distanca kaq të mëdha falë aftësisë për të ndjerë fushën magnetike të Tokës, por deri më tani nuk e kuptonim mekanizmin fiziologjik që fshihet pas kësaj “superfuqie”. Një studim i botuar në Journal of Experimental Biology hedh dritë mbi metodën kryesore të lundrimit të breshkave të detit, ndërsa sugjeron se situata mund të jetë edhe më komplekse.

Fusha magnetike e Tokës

Ekzistojnë dy metoda kryesore që kafshët përdorin për të perceptuar fushën magnetike të Tokës. Aftësitë e tyre për të hartëzuar zonat individuale drejtohen nga një mekanizëm që deri tani nuk është identifikuar plotësisht, dhe ky studim sjell një shpjegim të ri.

Një metodë përfshin “shikimin” e fushës magnetike në mënyrë indirekte, përmes molekulave të ndjeshme ndaj dritës që aktivizojnë reaksione kimike të ndikuara nga fusha magnetike. Metoda tjetër përdor kristale të vogla magnetiti brenda trupit të breshkës, të cilat lëvizin dhe i lejojnë asaj të ndjejë fushën pa e parë.

Ushqimi 

Për të kuptuar se cila metodë përdoret, studiuesit e Universitetit të Karolinës së Veriut shfrytëzuan pasionin e breshkave për ushqimin. Që nga lindja, breshkat janë trajnuar të lidhin një fushë të caktuar magnetike, veçanërisht përreth Ishujve Turks dhe Kaikos dhe Haitit, me praninë e ushqimit.

Pas dy muajsh stërvitjeje, breshkat u larguan nga kampi dhe u rikthyen. Atje, ato filluan të “kërcenin”, duke ngritur trupat, hapur gojën dhe tundur këmbët e përparme, shenja se prisnin me padurim ushqimin, të lidhur me atë fushë magnetike specifike.

Eksperimenti

Studiuesit përdorën një kafaz metalik që lëshonte një puls magnetik për të çaktivizuar përkohësisht magnetitin e breshkave. Breshkat e trajtuara nuk reaguan ndaj fushës magnetike, duke sugjeruar se metoda kryesore për ta perceptuar fushën është ndjenja përmes magnetitit, jo shikimi.

Shqisat në sinergji

Megjithatë, kjo nuk përjashton mundësinë që breshkat të integrojnë informacionin nga magnetiti me “shikimin magnetik”, të cilin e përdorin për të zgjedhur drejtimin e notit. Është shumë e mundshme që të dy shqisat punojnë së bashku, ku njëra udhëzon dhe tjetra plotëson punën.

/Motilokal.com