Frika nga mbetja pa bateri në dimër po i shtyn shumë drejtues të veturave elektrike të blejnë mbushës portativ

Frika nga mbetja pa bateri në dimër po i shtyn shumë drejtues të veturave elektrike të blejnë mbushës portativ

Një brez i pronarëve të veturave elektrike tashmë e ka provuar si është jeta me to gjatë dimrit. Prandaj gjithnjë e më shumë shoferë po orientohen drejt blerjes së baterive portative mbushës, një lloj “powerbanku” që mund t’i japin rrymë veturës elektrike në raste urgjente.

Edhe pse shumëkush i quan bateri portative për vetura, në fakt janë bateri të mëdha me inverter dhe me dalje të ndryshme si USB, prizë 12V, prizë të zakonshme në mur e të tjera. Nuk janë të njëjta me pajisjet që shërbejnë vetëm për t’i dhënë impuls akumulatorit për ndezjen e motorit.

Këto pajisje moderne përdorin bateri litiumi dhe ofrojnë kapacitet prej rreth 300 Wh deri mbi 3000 Wh. Përveç veturave, mund të mbushin laptopë ose të furnizojnë me energji pajisje të vogla për orë të tëra. Kjo përzierje e kapacitetit, prizave standarde dhe lëvizshmërisë po i shtyn shitjet, sidomos teksa rrjeti elektrik bëhet i pasigurt.

Por pyetja kryesore është nëse mund të mbushin me të vërtetë një veturë elektrike. Mundet, por me shumë kufizime. Nuk janë aspak zëvendësim për mbushësin e shtëpisë, por mund t’ju japin disa kilometra shtesë sa për të mbërritur te mbushësi më i afërt.

Shumica e këtyre pajisjeve nuk e mbushin veturën drejtpërdrejt përmes konektorëve CCS ose Mennekes. Bateria lidhet me kabllon e vet portativ dhe gjithçka varet nga fuqia maksimale që jep bateria portative dhe fuqia minimale që makina pranon. Shumë vetura elektrike kanë nevojë për të paktën 1.3 deri 1.8 kW që të nisin mbushjen në mënyrën “prizë shtëpie”.

Në praktikë, me një pajisje të tillë, pronari mund të marrë disa kWh të vërtetë, të mjaftueshëm për 5 deri në 15 kilometra shtesë, varësisht nga harxhimi i veturës. Nuk është mbushje e plotë, por shërben si rezervë në rast të një ndërprerjeje të gjatë të rrymës ose nëse mbushësi është i zënë për shumë kohë.

Ekspertët këshillojnë pajisje me kapacitet minimal prej 1.5 deri në 2 kWh, ndërsa kompania britanike ZipCharge Go para katër vitesh kishte paralajmëruar një version prej 8 kWh. Edhe ai nuk do ta mbushte baterinë për udhëtime të gjata, por mund t’ju shpëtojë nga kamioni i tërheqjes ose t’ju mundësojë të arrini stacionin e radhës për mbushje.

/Motilokal.com