Grupi GIS i Kosovës (GGK) ka prezantuar një hartë tematike që tregon liqenet artificiale kryesore të vendit dhe kapacitetin e tyre ujor, duke nxjerrë në pah sfidat serioze për qëndrueshmërinë e burimeve të ujit në Kosovë.
Të dhënat e GGK-së tregojnë se liqeni i Ujmanit mbetet rezervuari më i madh dhe strategjik, me një kapacitet prej rreth 390 milionë metra kub ujë. Pas tij renditet liqeni i Radoniqit, me afërsisht 113 milionë metra kub, i cili është thelbësor për furnizimin me ujë të rajonit të Dukagjinit.
Liqenet e Batllavës dhe të Badovcit, me kapacitete përkatësisht 35 dhe 30 milionë metra kub, sigurojnë burimet kryesore të ujit të pijshëm për pjesën qendrore të Kosovës. Edhe liqenet më të vegjël, si Vasileva, Përlepnica dhe Livoçi, ndonëse me vëllime më të kufizuara, mbeten të rëndësishëm për furnizimin lokal.

Sipas vlerësimeve të GGK-së, kapaciteti total i liqeneve artificiale në Kosovë është rreth 577 milionë metra kub, ose rreth 360 metra kub për banor. Kjo shifër është dukshëm më e ulët se standardi ndërkombëtar i sigurisë ujore, i cili konsiderohet mbi 1,000 metra kub për person.
Me këto të dhëna, Kosova konsiderohet një vend me mungesë të theksuar të ujit, sidomos gjatë verës dhe periudhave me reshje të pakta. GGK-ja paralajmëron se, pa menaxhim efikas të burimeve ekzistuese dhe investime në kapacitete të reja ujore, rezervat aktuale nuk do të jenë të mjaftueshme për nevojat afatgjata të vendit.
/Motilokal.com
