Nga Shkëlzen Rrecaj
Edhe pse zgjedhjet në Kosovë po mbahen shpesh, bisedat dhe preokupimet që prekin jetën e votuesve mbeten të rralla. Shumë prej debateve rrotullohen rreth manovrimeve politike, kalkulimeve për koalicione, sloganeve dhe figurave publike. Ajo që mungon është fokusi te problemet e përditshme që njerëzit i shohin para derës së shtëpisë.
Nëpër tubime e studio televizive flitet fare pak për çështje që kanë ndikim të drejtpërdrejtë, si ajri që thithim, lumenjtë që ndoten çdo ditë, mbeturinat që shtohen në çdo cep, apo prishja e hapësirave të gjelbra. Mjedisi është shndërruar në temë dytësore, pothuajse luks, ndonëse është pikërisht ai që ndikon në shëndetin, ekonominë dhe mënyrën se si jetojmë.
Në thelb, fushatat do të duhej të ishin momenti kur partitë u tregojnë votuesve se çfarë synojnë të ndryshojnë në terren, ashtu që njerëzit të marrin një ide të qartë se çfarë premtohet për pastrimin e lumenjve, menaxhimin e mbeturinave, ruajtjen e pyjeve apo mbrojtjen e zonave natyrore. Vetëm kështu votuesit mund të kuptojnë për çfarë po votojnë dhe çfarë angazhimesh mund të presin pas ditës së zgjedhjeve.
Për këtë temë, e cila është aktuale por po mbetet jashtë vëmendjes gjatë fushatës zgjedhore, biseduam me njohës dhe aktivistë të fushës së mjedisit.
Në një prononcim për motilokal.com, njohësja e mjedisit nga organizata "EcoZ”, Dijesa Morina, u shpreh: “Është shqetësuese dhe e papranueshme që në vitin 2025, partitë politike në Kosovë ende e trajtojnë mjedisin si një çështje dytësore apo thjesht si një paragraf dekorativ në programet e tyre.”
“Kjo mungesë fokusi vjen nga një politike që e sheh zhvillimin vetëm përmes betonit dhe asfaltit, duke injoruar faktin se pa ajër të pastër, pa ujë dhe pa tokë të shëndetshme, asnjë rritje ekonomike nuk është e qëndrueshme”, theksoi ajo.
Sipas saj politikanët tanë po zgjedhin premtimet e shpejta përballë emergjencës klimatike dhe ekologjike, sepse reformat mjedisore kërkojnë një vizion që tejkalon ciklin e tyre të ardhshëm elektoral. Është koha që vota për mjedisin të kthehet në kushtin kryesor, sepse degradimi që po lejojmë sot, do të jetë fatura më e shtrenjtë që do të paguajnë gjeneratat që vijnë.

Njohësja e mjedisit Dijesa Morina theksoi: “Mungesa e fokusit politik dhe institucional ndaj mjedisit po përkthehet në një krizë të heshtur, ku qytetarët po paguajnë me shëndet dhe me jetë neglizhencën e shtetit. Për qytetarin e Kosovës, kjo do të thotë spitale të mbingarkuara me sëmundje respiratore si pasojë e ajrit të ndotur, humbje të sigurisë ujore dhe ushqimore, si dhe një rënie të cilësisë së jetës në qytete të mbytura nga bllokimi i hapësirave të gjelbra. Për natyrën, nëse nuk merren masa pasojat janë pothuajse të pakthyeshme: lumenjtë tanë po shndërrohen në kanale të vdekura mbeturinash e ujërash të zeza, pyjet po zhduken me ritme alarmante dhe bota e gjalle po asgjësohet në emër të përfitimeve afatshkurtra. Duke e lënë mjedisin jashtë agjendës, ne po e dënojmë Kosovën me një të ardhme ku burimet natyrore do të jenë aq të degraduara, sa asnjë investim në infrastrukturë apo rritje pagash nuk do të mund ta kompensojë dëmin e shkaktuar në ekosistem dhe në mirëqenien tonë fizike.”
Duke folur për zgjidhjet, ajo thekson se ambienti duhet të jetë pjesë e domosdoshme e programeve politike, e debateve televizive, e pyetjeve të gazetarëve.
“Partitë politike do ta trajtojnë mjedisin seriozisht vetëm atëherë kur qytetarët ta bëjnë të qartë se mjedisi është një kriter vendimtar për votën e tyre. Kjo nënkupton presion të vazhdueshëm publik: mjedisi duhet të jetë temë e pandashme e debateve televizive, e pyetjeve të gazetarëve dhe e kërkesave të drejtpërdrejta ndaj kandidatëve për deputetë dhe kryeministër.”
Ajo theksoi se nuk mjaftojnë më deklaratat e përgjithshme apo premtimet abstrakte. Qytetarët dhe media duhet të kërkojnë masa konkrete, plane të matshme, afate kohore të qarta dhe përgjegjësi institucionale për zbatim. Vetëm përmes kësaj llogaridhënieje mund të dallohet se cilat parti kanë vullnet real politik për mbrojtjen e mjedisit.
“Në Kosovë, çështjet më urgjente që duhet të jenë pjesë qendrore e fushatave zgjedhore janë: përmirësimi i cilësisë së ajrit, mbrojtja dhe menaxhimi i qëndrueshëm i burimeve ujore, menaxhimi efektiv i mbeturinave, mbrojtja e lumenjve dhe zonave natyrore, si dhe kalimi drejt energjisë së pastër dhe të qëndrueshme. Këto nuk janë tema luks, por çështje jetike që lidhen drejtpërdrejt me shëndetin, sigurinë dhe të ardhmen e Kosovës”, u shpreh njohësja e mjedisit Dijesa Morina.
Në një prononcim për Motilokal.com, drejtuesi i organizatës mjedisore “Gjethi”, Valon Raka, u shpreh: “Në Kosovë, shqetësimet mjedisore deri më tani janë margjinalizuar në fushatat politike, pasi vëmendja është përqendruar te sfidat urgjente socio-ekonomike dhe gjeopolitike. Pavarësisht niveleve të larta të ndotjes dhe degradimit të vazhdueshëm të burimeve natyrore, partitë politike kryesisht merren me prioritete ekonomike dhe sociale afatshkurtra, të cilat perceptohen si më të rëndësishme dhe më atraktive për votuesit, me synim tërheqjen e sa më shumë mbështetjes gjatë fushatave.”
Raka theksoi se partitë opozitare po fokusohen në çështjet energjetike dhe në furnizimin e qytetarëve me energji, që lidhet drejtpërdrejt me situatën mjedisore dhe ndotjen e ajrit, mirëpo shpesh duke e lënë në plan të dytë mjedisin dhe duke u përqendruar kryesisht te kostoja dhe keqpërdorimet eventuale. Si pasojë, edhe gjatë këtyre debateve, çështja e ndotjes vazhdon të mbetet e anashkaluar.
“Çështja e mjedisit në debatet televizive pothuajse nuk ekziston dhe nuk po merr hapësirën që i takon. Ndërkohë, vendi përballet me probleme serioze si ndotja e lumenjve, ndotja nga transporti, ndotja e shkaktuar nga termocentralet e KEK-ut, numri i madh i veturave dhe mungesa kronike e transportit publik funksional”, deklaroi aktivisti mjedisor Raka.

Sipas tij shembull i keq ishte greva e punëtorëve të transportit urban në Prishtinë, e cila shkaktoi kolona të gjata në kryeqytet. Po ashtu, ndërtimi i stërzgjatur i hekurudhës Hani i Elezit-Fushë Kosovë, e cila do ta zvogëlonte nevojën për përdorimin e automjeteve në Rrafshin e Kosovës, të paktën për studentët dhe punëtorët që udhëtojnë drejt Prishtinës dhe qyteteve të mëdha përgjatë hekurudhës.
Tutje ai shtoi se një tjetër problem serioz është ndërtimi i impianteve për trajtimin e ujërave të zeza, si rasti urgjent në Ferizaj. Ky impiant ka mbetur i bllokuar në fazat e planifikimit, pasi fondet deri më tani kanë qenë të ngrira nga BE-ja, ndërsa nuk ka pasur iniciativë për ta realizuar projektin me fonde vetanake, meqë buxheti është orientuar drejt dikastereve të tjera.
Aktivisti mjedisor Valon Raka tha se partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, ka publikuar programin e saj të quajtur “Zotimet e reja”. Që në fillim të programit përmendet mjedisi, por kryesisht në kontekst të sigurisë dhe infrastrukturës kritike. Më poshtë, programi përmban disa seksione që ndërlidhen me mjedisin. Ndër premtimet janë ndërtimi i digave për ruajtjen e ujit në kushtet e ngrohjes globale dhe rritja enorme e kapaciteteve të prodhimit të energjisë, të cilat deri më tani kanë rezultuar më shumë si dështime sesa suksese. Këto premtime duken joreale për një mandat pesëvjeçar. Nëse merret parasysh edhe dinamika e deritanishme e realizimit të projekteve, rezulton se bëhet fjalë për premtime kryesisht elektorale, dhe sektori i shoqërisë civile nuk është i bindur se këto objektiva do të arrihen.
“Në programin e saj, LDK e riaktualizon gazsjellësin si një domosdoshmëri, duke argumentuar se do të ulte ndotjen ndjeshëm. Megjithatë, kjo qasje mbetet larg objektivave të standardeve të BE-së dhe zotimit për emetime zero të karbonit deri në vitin 2050. Për më tepër, ngritja e kapaciteteve të reja energjetike do të binte ndesh me këto synime, duke krijuar një rrugë të paqartë drejt integrimeve evropiane. Edhe premtimi për ndërtimin e 1000 MW energji nga era dhe dielli duket jorealist, duke lënë përshtypjen se nuk është bërë një hulumtim i thellë për këto objektiva programore”, u shpreh Raka.
Ndërsa siç ka vërejtur ai PDK nuk ka të publikuar një program në faqen e saj zyrtare, ndërsa në debatet televizive nuk duket se mjedisi përbën prioritet për këtë parti.
“Shkurtimisht, pasojat janë të mëdha dhe do t’i paguajmë shumëfish në të ardhmen e afërt dhe të largët, si nga aspekti shëndetësor, ashtu edhe ai ekonomik dhe ai i integrimeve evropiane”, thotë Raka.
Në fund Raka deklaroi: “Vota e qytetarit do të duhej të ishte arma më e fuqishme për të detyruar partitë që, përveç futjes në programet e tyre, të implementonin premtimet mjedisore. Deri më tani, elektorati është fokusuar kryesisht te çështjet ekonomike dhe ato të sigurisë. Sensibilizimi i qytetarëve do të kishte një ndikim të drejtpërdrejtë. Përveç OJQ-ve dhe gazetarëve që herë pas here merren me çështjet mjedisore, pjesa tjetër e shoqërisë vazhdon t’i neglizhojë problemet dhe zgjidhjet mjedisore gjatë fushatave.”
Në fund, mbetet e qartë se mjedisi nuk është një temë shtesë që mund të shtyhet nga një fushatë në tjetrën. Ai është pjesë e përditshmërisë së secilit qytetar dhe pasqyron drejtpërdrejt mënyrën se si qeveriset vendi. Pa presion publik, pa pyetje të drejtpërdrejta dhe pa kërkesa konkrete nga votuesit, partitë do të vazhdojnë ta trajtojnë mjedisin si dekor politik. Zgjedhjet janë momenti kur kjo mund të ndryshojë. Vota mund të kthehet në mjet për llogaridhënie reale, vetëm nëse qytetarët vendosin që ajri, uji, toka dhe hapësirat e përbashkëta janë po aq të rëndësishme sa paga, energjia dhe siguria. Pa këtë vetëdije, dëmi do të vazhdojë të thellohet dhe çmimin do ta paguajmë të gjithë, jo në të ardhmen e largët, por çdo ditë.
/Motilokal.com
