Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka asgjësuar 19200 kilogramë mish pule të importuar nga Polonia, pasi në ngarkesë është konstatuar prania e bakterit Salmonella spp.
Sipas njoftimit të AUV-së, rasti është identifikuar gjatë kontrollit zyrtar të realizuar nga inspektorët e agjencisë, me kërkesë të kompanisë APETIT Sh.p.k. nga Vushtrria, e cila kishte importuar mishin e pulës.
Menjëherë pas konstatimit të pranisë së bakterit, e gjithë sasia është asgjësuar në përputhje me procedurat ligjore dhe standardet e sigurisë ushqimore në fuqi, duke parandaluar që produkti të dalë në treg.
AUV bën të ditur se po vazhdon monitorimin me vëmendje të shtuar dhe bashkëpunimin me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, si dhe me operatorët ekonomikë që merren me importin e mishit, për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen.
Agjencia thekson se mbetet e përkushtuar në garantimin e sigurisë ushqimore dhe në mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve, duke siguruar që produktet në treg të jenë në përputhje me standardet evropiane.
/Motilokal.com
