Përmbytje në Durrës dhe Lezhë pas reshjeve të dendura të shiut

Përmbytje në Durrës dhe Lezhë pas reshjeve të dendura të shiut

Reshjet e dendura të shiut gjatë orëve të natës kanë shkaktuar përmbytje dhe vështirësi të shumta në qytetet e Durrësit dhe Lezhës, duke penguar lëvizjen e qytetarëve dhe qarkullimin e automjeteve.

Në Durrës, përmbytje janë regjistruar në disa zona të qytetit, veçanërisht në kryqëzimet kryesore të rrugëve, ku uji ka mbuluar rrugët dhe trotuaret. Në disa raste, uji ka depërtuar edhe në hyrjet e pallateve dhe bizneseve përgjatë rrugëve, duke krijuar shqetësim për banorët dhe tregtarët.

Situata duket më kritike në Lezhë, ku prurjet e larta dhe pamundësia e rrjetit të kanalizimeve për të përballuar sasinë e ujit kanë shkaktuar përmbytje në lagjen “Besëlidhja”. Sipas mediave lokale, niveli i ujit ka arritur deri në 40 centimetra, duke bllokuar hyrjet e pallateve dhe duke vështirësuar lëvizjen e këmbësorëve dhe automjeteve. Për arsye sigurie, është pezulluar mësimi në shkollën 9-vjeçare “Kosova” në Lezhë.

Po ashtu, raportohet rritje e ndjeshme e prurjeve në lumenjtë Drin dhe Gjadër, të cilët ndodhen në kuota kritike. Autoritetet lokale dhe strukturat e emergjencave civile janë në terren dhe po monitorojnë situatën, ndërsa qytetarët këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar.

/Motilokal.com