AME njofton për situatën e vërshimeve në Kosovë

AME njofton për situatën e vërshimeve në Kosovë

Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) njofton se situata me vërshime në Kosovë është dinamike, pas reshjeve të fundit që kanë prekur disa komuna. Zona e Anadrinisë në Komunën e Prizrenit është përmbytur në të dyja anët e rrjedhës së Drinit të Bardhë. Si pasojë, rruga Gjonaj – Krajk është e bllokuar, me nivel uji mbi 1.5 metra, sipas Policisë së Kosovës.

Në pjesën tjetër të vendit, gjendja mbetet stabile dhe nën monitorim të vazhdueshëm.

Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, në koordinim me Qendrën Operative të AME-së dhe strukturat komunale, po vazhdojnë veprimet në terren për pompimin e ujit, sigurimin e objekteve të rrezikuara dhe monitorimin e pikave kritike. Numri unik emergjent 112 është funksional dhe në dispozicion të qytetarëve.

AME konfirmon se deri tani nuk ka raportime për humbje jete. Dëmet materiale janë të kufizuara dhe po vlerësohen nga autoritetet lokale. Megjithatë, në rast të reshjeve të reja, ekziston mundësia e përkeqësimit të situatës, por rreziku aktual konsiderohet i menaxhueshëm.

Qytetarët këshillohen të shmangin zonat e rrezikuara, të ndjekin njoftimet zyrtare dhe çdo rast emergjent ta raportojnë në 112. Situata do të vazhdojë të monitorohet aktivisht, ndërsa AME mbetet e përkushtuar të informojë publikun 24/7 për çdo zhvillim të ri.


/Motilokal.com