Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), së bashku me qendrat rajonale, po e monitoron nga afër gjendjen e ujit të pijshëm në të gjithë vendin pas reshjeve të fundit. Mostrat e ujit po analizohen rregullisht në laborator, ndërsa autoritetet janë në kontakt të vazhdueshëm me kompanitë e ujësjellësit për të siguruar ujë të pijshëm sa më shpejt të jetë e mundur.
Rajoni i Prishtinës
Fabrikat e ujit në Shkabaj dhe Bivolak nuk funksionojnë për shkak të turbullirës së ujit, ndërsa sistemet në Graçanicë/Badovc dhe Albanik/Batllavë punojnë normalisht. Uji në rrjet kontrollohet vazhdimisht dhe për momentin nuk ka probleme me cilësinë.
Rajoni i Prizrenit
Burimi “40 bunarët” përdoret vetëm për larje dhe higjienë, ndërsa uji nga burimet Cvilen dhe Soz është i pijshëm. Në Suharekë dhe Malishevë uji i rrjetit nuk duhet përdorur për pije. Në Dragash nuk ka probleme.
Rajoni i Gjilanit
Uji në Gjilan është i sigurt për konsum. Në Kamenicë, fshati Berivojcë, janë vërejtur nitrate të larta, ndërsa në Viti përdorimi i ujit është ndërprerë për shkak të turbullirës.
Rajoni i Pejës
Turbullira u shfaq në disa burime pas reshjeve. Në Deçan dhe zonën e Jarinës në Klinë furnizimi është ndërprerë, por puset alternative janë futur në përdorim. Në Radac të Pejës situata është përmirësuar dhe uji tashmë është i sigurt.
Rajoni i Ferizajt
Uji i pijes është brenda standardeve dhe i sigurt.
Rajoni i Gjakovës
Rrjeti i KRU Gjakovës ofron ujë të sigurt, por disa burime lokale, si Rekë e Keqe, Demjan, Opterushë, Hoqe e Madhe dhe Zaqishtë, nuk janë të përdorshme për pije.
Rajoni i Mitrovicës
Uji nuk është i sigurt për konsum dhe nuk do të lëshohet për përdorim për një periudhë të caktuar për shkak të turbullirës së madhe.
Rekomandimet e IKSHPK-së:
Vlojeni ujin nga bunarët e pambrojtur ose përdorni burime alternative.
Mos konsumoni ushqim që ka qenë në kontakt me ujin e shiut.
Shfrytëzoni vetëm burime të sigurta për furnizim me ujë.
Ndiqni udhëzimet zyrtare të komunës suaj.
/Motilokal.com
