Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar sot Gjakovën dhe Malishevën për të parë nga afër situatën pas vërshimeve dhe për t’u njohur me nevojat e qytetarëve të evakuuar.
Gjatë vizitës, Osmani u takua me kryetarët e dy komunave, Ardian Gjinin dhe Ekrem Kastratin, si dhe me disa nga familjet e prekura. Ajo theksoi se institucionet do të angazhohen që asnjë familje të mos mbetet pa mbështetjen e nevojshme.
Presidentja vlerësoi lart solidaritetin dhe bashkëpunimin në përballimin e situatave të tilla, duke theksuar se këto momente tregojnë rëndësinë e veprimit të përbashkët kur qytetarët përballen me vështirësi.
Një falënderim i veçantë u adresua për ekipet e emergjencës, ato lokale dhe qendrore, Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave, zjarrfikësit dhe Policinë e Kosovës për angazhimin e tyre në mbrojtje të jetëve dhe pronave. Osmani bëri të ditur se Forca e Sigurisë së Kosovës mbetet në gjendje gatishmërie në rast nevoje.
Ajo përfundoi duke theksuar se vetëm bashkë mund të tejkalohen sfida të tilla.
/Motilokal.com
