Policia e Kosovës u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik, e në veçanti shoferëve, që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ngasjes, për shkak të ndryshimit të kushteve atmosferike dhe reshjeve të shiut e borës në disa zona të vendit.
Sipas Policisë, këto kushte mund të vështirësojnë qarkullimin rrugor dhe të rrisin rrezikun e aksidenteve, sidomos në rrugët e mbuluara me borë, akull apo aty ku mund të paraqiten ngrica.
Shoferëve u kërkohet që të përshtatin shpejtësinë me gjendjen e rrugës dhe kushtet atmosferike, të mbajnë distancën e sigurisë mes mjeteve dhe të ngadalësojnë lëvizjen në segmentet rrugore me shi, borë apo akull.
Po ashtu, Policia rekomandon përdorimin e gomave dhe pajisjeve dimërore, si masë e domosdoshme për siguri më të madhe gjatë qarkullimit.
Policia e Kosovës apelon që kujdesi në trafik të jetë prioritet, pasi respektimi i rregullave dhe përshtatja me kushtet e rrugës ndihmojnë drejtpërdrejt në parandalimin e aksidenteve dhe ruajtjen e jetës.
/Motilokal.com
