Situata e vërshimeve në Kosovë ka shënuar përmirësim të dukshëm pas ndërprerjes së reshjeve të shiut dhe fillimit të reshjeve të borës. Sipas të dhënave nga Qendrat Operative Emergjente 112 dhe njësitë operative në terren, niveli i ujit në lumenjtë kryesorë ka filluar të bjerë dhe nuk paraqitet rrezik i menjëhershëm për vërshime të reja.
Gjendja sipas rajoneve:
-
Prishtinë & rrethinë: Vërshime të lokalizuara në nënkalime dhe bllokime të disa rrugëve dytësore; situata mbetet e menaxhueshme.
-
Prizren: Raportohet aktivitet minimal gjatë natës, kryesisht intervenime teknike.
-
Mitrovicë: Situatë kryesisht e qetë; disa familje në Mitrovicën e Jugut janë evakuuar përkohësisht si masë sigurie.
-
Pejë: Dy intervenime të raportuara në Istog, përfshirë evakuimin e një familjeje; në komunat tjera gjendja është stabile.
-
Gjakovë & Gjilan: Situatë e qetë dhe nën kontroll; niveli i ujit në lumenj po bie.
Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit janë të mobilizuara në gjithë vendin, ndërsa sistemi i komunikimit emergjent 112 është në monitorim dhe koordinim të vazhdueshëm 24/7.
Vështirësi shtesë:
Reshjet e borës dhe ngricat kanë shkaktuar vështirësi në qarkullim rrugor në disa zona. Disa rrugë mbeten të bllokuara për shkak të shembjeve të dheut. Autoritetet apelojnë te qytetarët për kujdes të shtuar.
Ndërhyrje institucionale:
Agjencia e Menaxhimit Emergjent ka mbështetur KEK-un dhe KOSTT-in me pompa thithëse me kapacitet të lartë për largimin e ujit nga objektet e prekura, të cilat po përdoren sipas nevojës. Institucionet përgjegjëse janë në gatishmëri të plotë, ndërsa situata monitorohet vazhdimisht nga sistemi emergjent 112.
/Motilokal.com
Foto: Lindor Çoçaj
