Instituti i Shëndetit Publik i Shqipërisë bën thirrje për kujdes të shtuar pas përmbytjeve, duke theksuar se ujërat e përmbytura mund të përmbajnë ujëra të zeza dhe mikroorganizma të rrezikshëm për shëndetin.
Sipas ISHP, konsumimi i ujit apo ushqimeve të kontaminuara nga përmbytjet mund të shkaktojë sëmundje diarreike dhe infeksione si E. coli, Shigella, Salmonella, si edhe Norovirus dhe Rotavirus.
Për të shmangur rrezikun, qytetarët këshillohen të lajnë duart pas çdo kontakti me ujërat e përmbytura dhe të sigurohen që fëmijët t’i lajnë shpesh duart me sapun dhe ujë, veçanërisht para ushqimit. Fëmijët nuk duhet të lejohen të luajnë në zona të përmbytura apo me lodra që kanë qenë në kontakt me këto ujëra pa u dezinfektuar më parë.
ISHP thekson gjithashtu se larja apo bërja e banjës në ujëra të ndotura, përfshirë lumenj, përrenj dhe liqene të ndikuara nga përmbytjet, paraqet rrezik serioz për shëndetin.
Instituti u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të veçantë për fëmijët dhe të moshuarit dhe të ndjekin me përpikëri këshillat për mbrojtjen e shëndetit.
/Motilokal.com


