Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se, si pasojë e reshjeve të shtuara atmosferike ditëve të fundit, është intensifikuar monitorimi i cilësisë së ujit të pijshëm në të gjithë territorin e Kosovës, në bashkëpunim me Qendrat Rajonale të Shëndetit Publik.
Gjatë kësaj periudhe janë marrë mostra për analiza fiziko-kimike dhe mikrobiologjike nga sistemet publike të ujëfurnizimit.
Sipas të dhënave të fundit, situata me ujin e pijshëm më 9 janar 2026 paraqitet si më poshtë:
Rajoni i Prishtinës
Fabrikat për trajtimin e ujit në Shkabaj dhe Bivolak janë jashtë funksionit për shkak të turbullirës së lartë. Ndërkohë, fabrikat në Badovc dhe Batllavë funksionojnë normalisht dhe uji është brenda standardeve.
Rajoni i Prizrenit
Burimi i ujit nga “40 bunarët” në qytetin e Prizrenit përdoret vetëm për nevoja teknike. Burimet Cvilen dhe Soz janë brenda standardeve. Në Suharekë dhe Dragash uji është i pijshëm, ndërsa në Malishevë përdoret vetëm për nevoja teknike.
Rajoni i Gjilanit
Në qytetin e Gjilanit uji është brenda standardeve. Në Kamenicë, Viti dhe fshatrat Makresh, Ropotovë, Ranillug dhe Berivojcë janë regjistruar vlera të rritura të turbullirës dhe uji nuk rekomandohet për pije.
Rajoni i Pejës
Në Pejë dhe Istog uji është i pijshëm. Në Deçan, Junik dhe Klinë furnizimi me ujë është vetëm për përdorim teknik. Në Mbivadë dhe Vrellë vërehet turbullirë e rritur, ndërsa burimi i Jarines shfrytëzohet vetëm për nevoja teknike.
Rajoni i Ferizajt
Uji është i pijshëm dhe brenda standardeve.
Rajoni i Gjakovës
Furnizimi me ujë nga rrjeti i KRU Gjakova është i sigurt për pije. Në Hoqë të Madhe, Opterushë dhe Zaqishtë janë regjistruar vlera të rritura të turbullirës dhe uji nuk është i pijshëm.
Rajoni i Mitrovicës
Uji përdoret vetëm për nevoja teknike.
IKSHPK ka bërë të ditur se, në koordinim me Qendrat Rajonale të Shëndetit Publik dhe Kompanitë Rajonale të Ujësjellësit, do të vazhdojë monitorimin e shtuar të cilësisë së ujit me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të popullatës.
/Motilokal.com


