Reshjet e ditëve të fundit të shiut dhe borës kanë shkaktuar vërshime dhe vështirësi në qarkullim në disa akse rrugore në Kosovë.
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës njofton se në rrugën Prishtinë–Ferizaj ka pasur grumbullim të madh të ujit për shkak të kyçjeve ilegale në kanalet atmosferike, çka ka çuar në bllokim të përkohshëm të qarkullimit. Ekipet janë në terren dhe rruga pritet të hapet brenda ditës.
Probleme janë shënuar edhe në nënkalimin e Mazgitit, në drejtim të autostradës, ku bllokimi i kanalit atmosferik ka shkaktuar grumbullim uji. Po punohet intensivisht në zhbllokimin e kësaj pike.
Në autostradën “Ibrahim Rugova” është evidentuar rrëshqitje dheu. Sipas ministrisë, po kryhen punime për sanim të shpejtë me qëllim rikthimin e qarkullimit normal.
Ndërkohë, në Sllatinë, në rrugën Fushë Kosovë–Gjurgjicë, ka pasur po ashtu grumbullim uji, ndërsa ekipet po ndërhyjnë me masa emergjente. Normalizimi i qarkullimit pritet së shpejti.
Në rrugën Zhur–Dragash është vërejtur lëvizje e trupit të rrugës. Është vendosur sinjalizimi përkatës dhe aktualisht qarkullimi zhvillohet vetëm në një shirit.
Nga ministria kërkohet mirëkuptim nga qytetarët dhe këshillohet që, kur është e mundur, të shmanget qarkullimi i panevojshëm në këto segmente deri në sanimin e plotë të situatës.
/Motilokal.com


