Reshjet po e shtojnë nivelin e ujërave në komunën e Drenasit, kërkohet kujdes

Reshjet po e shtojnë nivelin e ujërave në komunën e Drenasit, kërkohet kujdes

Pas vërshimeve të ditëve të fundit në komunën e Drenasit, reshjet e shiut që kanë filluar gjatë natës po vazhdojnë ta rrisin nivelin e ujërave. Autoritetet komunale po kërkojnë kujdes të shtuar, bashkëpunim dhe solidaritet nga qytetarët dhe kompanitë, në rast të përkeqësimit të situatës.

Ekipet emergjente kanë inspektuar zonat që ishin më kritike gjatë këtyre ditëve dhe kanë ndërmarrë veprime për stabilizimin e gjendjes. Paralelisht është bërë edhe pastrimi i rrugëve kryesore nga bora. Zyrtarë të komunës janë vazhdimisht në terren dhe po merren me menaxhimin e pasojave të vërshimeve.

Disa familje të prekura nga situata janë vizituar dhe janë mbështetur me pako ushqimore, falë ndihmës së donatorëve. Ndihma është shpërndarë për familjet që kanë pasur nevojën më të madhe.

Ndërkohë, qytetarët kanë filluar të paraqesin kërkesa për vlerësimin e dëmeve. Tri komisione do të dalin në terren për të regjistruar dëmet në ekonomitë familjare, biznese dhe në sektorin bujqësor. Janë vlerësuar edhe dëmet infrastrukturore dhe pritet që së shpejti të nisin përmirësimet e nevojshme.

Komuna e Drenasit falënderon qytetarët dhe kompanitë për solidaritetin, bashkëpunimin dhe durimin e treguar, duke theksuar se do të vazhdojë të jetë e angazhuar me të gjitha mundësitë ligjore në shërbim të mirëqenies së qytetarëve.

/Motilokal.com