Si pasojë e reshjeve të mëdha gjatë orëve të fundit, disa rrugë në territorin e Komunës së Malishevës po hasin vështirësi në qarkullim, megjithëse situata e përgjithshme mbetet e menaxhueshme.
Ekipet e Shërbimit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit, Policia e Kosovës dhe ekipet komunale janë në gatishmëri të plotë dhe në shërbim të qytetarëve. Në disa zona, lumi Mirusha ka dalë nga shtrati për shkak të prurjeve të mëdha të ujërave, duke krijuar vështirësi në disa rrugë, përfshirë: rrugën “Hamdi Berisha” në Malishevë, transitin afër lagjes Hoti, rrugën Malishevë-Banjë, rrugën Mirushë-Gurbardh, rrugën Lubizhdë-Turjakë, urën në Lubizhdë, një urë në lagjen e fshatit Damanek dhe rrugën për në fshatin Panorc, ku në dy segmente ka prezencë të ujit.
Furnizimi me energji elektrike po realizohet me reduktime në disa pjesë të qytetit, ndërsa furnizimi me ujë vazhdon, por uji nuk është i përdorshëm për momentin për shkak të ndotjes nga vërshimet e ditëve të kaluara. Ekipet përkatëse janë në terren dhe po punojnë për sanimin e këtyre problemeve.
Qytetarët lutën të përdorin rrugët alternative, të shmangin rrugët e përmendura dhe të respektojnë sinjalistikën e vendosur nga Policia e Kosovës për ndalim të qarkullimit.
/Motilokal.com


