Strukturat nën varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë kanë vijuar punën në terren për normalizimin e situatës të shkaktuar nga moti i keq. Pavarësisht reshjeve të dendura të shiut dhe borës, janë ndërhyrë menjëherë në të gjitha zonat ku u raportuan problematika.
Akset rrugore
Reshje dëbore janë regjistruar në akset: Bogë-Theth, Hani i Hotit-Vermosh, Qafë Mali-Fierzë, Surel-Qafë Priskë-Qafë Mollë, Elbasan-Gjinar, Ibë-Krrabë-Elbasan, Dardhë dhe Korçë.
Probleme në qarkullim janë shënuar në: Maliq-Moglicë, hyrje e Himarës, Elbasan-Gjinar (shkarje skarpatash), Ersekë-Leskovik km 6, Kalimash-Fushë Dukagjin, Librazhd-Elbasan dhe Subash, aksi Tepelenë-Gjirokastër.
Furnizimi me energji elektrike
Aktualisht janë 22 fidera jashtë pune në rang vendi. Rajonet më të prekura janë Tirana (rrethinat), Lushnja dhe Gjirokastra. Linjat 35kV, nënstacionet dhe rrjeti që furnizon hidrovorët funksionojnë normalisht.
Rrjeti i transmetimit
Linja 220 kV Burrel–Elbasan 1 është e stakuar, ndërsa brigadat e OST-së janë në terren për riparimin e defektit. Nuk raportohet ndikim tek konsumatorët.
Situata në kaskadën e Drinit
Prurjet natyrore janë: HEC Fierzë 1200 m³/s, HEC Koman 350 m³/s dhe HEC Vau i Dejës 100 m³/s.
Furnizimi me ujë
Në Qarkun Vlorë, për zonat Trevllazër dhe Karbunar po kryhen verifikime teknike për vijueshmërinë e shërbimit. Në Himarë, një tub Ø 40 mm është dëmtuar dhe po zëvendësohet. Në qarqet e tjera nuk ka problematika.
Portet dhe aeroporti
Në Portin e Durrësit, përpunimi në Terminalin Perëndimor, Kontenierë dhe Lindor është ndërprerë, por tragetet akostuan sipas orarit. Në Portin e Vlorës, trageti me Brindisi është ankoruar në orar, por vijon bllokimi i mjeteve të vogla brenda Gjirit të Vlorës. Në Portin e Sarandës, trageti me Korfuzin nuk u nis.
Aeroporti “Nënë Tereza” operon normalisht.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë vazhdon monitorimin e situatës dhe apelon qytetarët për kujdes në lëvizje dhe respektim të sinjalistikës rrugore.
/Motilokal.com


