Për shumë njerëz, edhe një shëtitje e thjeshtë ose koha e kaluar në mënyrë aktive në kopsht mund t'ua përmirësojë humorin, dhe provat më të fundit tregojnë se këto aktivitete të thjeshta mund të jenë po aq efektive sa trajtimi profesional për depresionin.
"Kjo vërtet rithekson se aktiviteti fizik është një mundësi për njerëzit me simptoma të depresionit dhe konfirmon se ushtrimet fizike mund të jenë po aq efektive sa psikoterapia dhe ilaqet kundër depresionit", tha për New Scientist Andrew Clegg nga Universiteti i Lancashire në Mbretërinë e Bashkuar. Ekipi i tij kreu një rishikim të përditësuar të hulumtimit shkencor mbi aktivitetin fizik dhe humorin.
Hulumtimet e mëparshme, përfshirë një përmbledhje të ngjashme të botuar në Bibliotekën Cochrane në vitin 2013, kanë sugjeruar që ushtrimet fizike mund të zvogëlojnë simptomat e depresionit po aq efektivisht sa ilaçet kundër depresionit ose terapia njohëse e sjelljes (CBT), e cila i ndihmon njerëzit të ndryshojnë mënyrën e të menduarit dhe sjelljen e tyre. Bazuar në këto gjetje, autoritetet shëndetësore, siç është Instituti Kombëtar i Mbretërisë së Bashkuar për Ekselencë në Shëndetësi dhe Kujdes (NICE), rekomandojnë ushtrime të rregullta aerobike në trajtimin e depresionit, zakonisht së bashku me terapi të tjera.
Ndryshim klinikisht i rëndësishëm
Analiza e re, e botuar në revistën Cochrane Library, pothuajse ka dyfishuar bazën e provave krahasuar me atë të mëparshmen, tha Clegg. Ekipi i tij analizoi 69 studime të kontrolluara të rastësishme që përfshinin gati 5,000 të rritur me depresion të lehtë deri në të rëndë ose rezultate të larta në shkallët standarde të simptomave. Në 57 nga studimet, pjesëmarrësit u caktuan rastësisht në grupe ushtrimesh, grupe kontrolli pa trajtim ose trajtim të vonuar.
Pjesëmarrësit ushtruan disa herë në javë për disa javë deri në disa muaj. Aktivitetet varionin nga intensiteti i ulët, siç është kopshtaria, në intensitet të moderuar, siç është ecja e shpejtë, dhe deri në intensitet të lartë, siç është vrapimi me shpejtësi ose futbolli. Joga dhe ushtrimet e shtrirjes nuk u përfshinë, për të izoluar vetëm efektet e aktivitetit fizik. Analiza e fundit zbuloi se në përgjithësi, ushtrimet reduktuan në mënyrë modeste simptomat e depresionit, siç janë trishtimi i vazhdueshëm ose humbja e interesit tek të tjerët.
"Ata gjetën një ndryshim klinikisht të rëndësishëm, njerëzit do ta ndiejnë një ndryshim për shkak të kësaj", tha për New Scientist Brendon Stubbs, një ekspert i pavarur nga King's College London.
Krahasimet me CBT në dhjetë prova dhe me antidepresivët në pesë prova treguan se ushtrimet ishin po aq efektive.
Nuk kishte asnjë ndryshim midis tyre, thotë për New Scientist Emily Hird, nga King's College London, e cila gjithashtu nuk ishte e përfshirë në studim.
Ushtrimet e lehta dhe të moderuara dukeshin më efektive sesa ushtrimet intensive, ndoshta sepse pjesëmarrësit e kishin më të lehtë të mbanin një rutinë të rregullt, shpjegon Stubbs. Përfitimet e ushtrimeve mund t'i atribuohen angazhimit shoqëror, të mësuarit të aftësive të reja dhe mekanizmave biologjikë. Gjatë ushtrimeve, muskujt çlirojnë miokina, duke përfshirë faktorin neurotrofik të derivuar nga truri (BDNF), i cili zvogëlon inflamacionin dhe inkurajon rritjen e qelizave të reja të trurit. Stërvitja e forcës, e cila çliron më shumë miokina, ka treguar efekte veçanërisht të fuqishme.
Disavantazhet e studimit
Pavarësisht këtyre rezultateve, në të gjitha studimet pjesëmarrësit e dinin nëse ishin në grupin e ushtrimeve apo të kontrollit, gjë që eliminon mundësinë e një efekti placebo. Gjithashtu, shumë nga studimet përfshinin një numër relativisht të vogël pjesëmarrësish, gjë që mund të kufizojë besueshmërinë e tyre, paralajmëron Hird.
/Motilokal.com
