Dimri nuk duhet parë si stinë lodhjeje apo mbylljeje brenda, e aq më pak si periudhë sëmundjesh për gjithë familjen. Edhe në ditët e ftohta, lëvizja dhe aktiviteti jashtë kanë shumë përfitime për trupin dhe mendjen.
Ajri i ftohtë dhe i freskët shpesh na shtyn të qëndrojmë në shtëpi, por aktivitetet në dimër ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e humorit dhe energjisë. Ushtrimet janë po aq të rëndësishme sa në çdo stinë tjetër, madje dimri mund t’i bëjë edhe më argëtuese nëse jeni të veshur si duhet.
Mjafton pak përgatitje dhe veshje e ngrohtë që të shijoni kënaqësitë e kësaj stine. Ja disa aktivitete që ia vlen t’i provoni.
Vrapimi
Nuk ka arsye të ndërprisni vrapimin gjatë dimrit nëse jeni mësuar me të gjatë vitit. Shumë njerëz vrapojnë edhe në ditë të ftohta apo me shi. Kujdesuni për duart, këmbët dhe kokën, dhe zgjidhni rroba që mbajnë ngrohtësi. Nëse keni probleme shëndetësore si astma apo dhimbje gjoksi, është mirë të këshilloheni paraprakisht me mjekun.
Shëtitja
Ftohti nuk është arsye për t’u mbyllur brenda. Vishuni mirë, merrni çizme që nuk lëshojnë ujë dhe dilni për një shëtitje. Shëtitja në dimër forcon eshtrat, ndihmon veçanërisht personat me artrit dhe përmirëson ndjeshëm disponimin. Përveç kësaj, trupi shpenzon më shumë energji për t’u ngrohur, gjë që përshpejton metabolizmin dhe djegien e kalorive.
Rrëshqitja me saja
Një nga aktivitetet më argëtuese të dimrit, jo vetëm për fëmijë. Edhe të rriturit mund ta shijojnë pa problem. Ju nevojiten vetëm sajat dhe rroba të ngrohta. Një orë rrëshqitje me saja mund të djegë rreth 468 kalori. Është aktivitet që sjell lëvizje, të qeshura dhe energji pozitive. E qeshura rrit rrahjet e zemrës dhe ndikon pozitivisht në shëndetin e përgjithshëm.
Dimri mund të jetë aktiv, i shëndetshëm dhe i këndshëm, mjafton të mos e kaloni vetëm brenda.
/Motilokal.com
