Vërshimet e fundit - mjafton të bie një “rigë” që ta nxjerr në shesh dështimin e institucioneve

Vërshimet e fundit - mjafton të bie një “rigë” që ta nxjerr në shesh dështimin e institucioneve

Nga Shkëlzen Rrecaj

Situata e krijuar nga vërshimet e ditëve të fundit në disa komuna të Kosovës ka shpërfaqur qartë neglizhencën shumëvjeçare të institucioneve lokale ndaj mjedisit. Reshjet e shiut vetëm sa e kanë nxjerrë në sipërfaqe një problem të vjetër, mungesën e investimeve dhe të planifikimit serioz nga komunat. Kanale të bllokuara, shtretër lumenjsh të papastruar dhe ndërtime të pakontrolluara kanë bërë që uji të dalë nga shtrati dhe të shkaktojë dëme të mëdha. Këto përmbytje nuk janë më raste të izoluara, por pasojë direkte e një qasjeje të gabuar ku mbrojtja e mjedisit vazhdon të mos trajtohet si prioritet institucional.


Sipas të dhënave të fundit të Barometrit të Gjelbër të publikuar nga Instituti Atlas, vetëm 6 nga 38 komunat e Kosovës kanë fonde të dedikuara për mbrojtjen e mjedisit dhe natyrës. Shumica e komunave të tjera nuk kanë fonde të veçanta ose nuk raportojnë për aktivitetet e tilla.

Komunat që kanë program të veçantë për mbrojtjen e mjedisit janë: Istogu, Obiliqi, Drenasi, Skenderaj, Peja, dhe Ferizaj. Ndërkohë, disa nga komunat që nuk kanë ende programe të tilla përfshijnë Gjakovën, Rahovecin, Kaçanikun, Mitrovicën Jugore, Kamenicën, Lipjanin, Fushë Kosovën, Gjilanin, Hani i Elezit, Prishtinën, Deçanin dhe Vitinë.

Sipas Institutit Atlasa një grup tjetër komunash nuk ka qenë përgjegjës ndaj kërkesave për informacion, duke përfshirë Dragashin, Suharekën, Mamushën, Parteshin, Kllokotin, Ranillugun, Zhupin e Potokut, Zveçanin, Leposaviqin dhe Mitrovicën Veriore.

Rezultatet tregojnë një nevojë të madhe për rritjen e investimeve në mbrojtjen e mjedisit nga komunat, duke theksuar rëndësinë e politikave të qarta dhe transparencës në menaxhimin e burimeve.

Të dhënat e fundit satelitore nga programi Copernicus, të analizuara nga Leutrim Krasniqi - GIS Group of Kosovo, paraqesin një situatë kritike hidrologjike në territorin e Kosovës. Bazuar në imazhet e datës 10.01.2026, vërehet një shtrirje e konsiderueshme e zonave të vërshuara që kërkon vëmendje imediate nga institucionet e menaxhimit të krizave.

Shifrat Kryesore të Monitorimit:

• Sipërfaqja totale e vërshuar: ~15,000 hektar (ha).

• Gjatësia e vijës lumore të prekur: ~185 km.

• Shtrirja gjeografike: Goditja më e madhe vërehet në rrafshin e Kosovës (përgjatë rrjedhës së lumit Sitnicë) dhe zona të rrafshit të Dukagjinit.

Të dhënat nga radari janë jashtëzakonisht të sakta për detektimin e ujit "të hapur", por interpretimi duhet të jetë i kujdesshëm në zonat urbane shumë të dendura. Kjo hartë shërben si një mjet primar për orientimin e resurseve të emergjencës drejt zonave me impaktin më të madh hapësinor.

Lidhur me këtë temë, biseduam me Leutrim Krasniqin, ekspert në GIS Group of Kosovo GGK, i cili u shpreh se mungesa e investimeve komunale në mjedis lidhet me buxhete të limituara, prioritet të ulët për infrastrukturën e menaxhimit të ujërave dhe shpesh me mungesë të strategjive afatgjata për parandalimin e përmbytjeve.

“Përmbytjet nuk janë vetëm pasojë e reshjeve të mëdha, por edhe e keqmenaxhimit të hapësirave urbane dhe lumenjve, për shembull ndërtimet pa leje pranë lumenjve, dhe mungesa e sistemeve të mirëfillta për largimin e ujërave”, theksoi Krasniqi.

Sipas tij mosmirëmbajtja e kanaleve dhe zgjerimi urban pa plan rrit ndjeshëm rrezikun nga përmbytjet, sepse ujërat nuk kanë rrjedhje të lirë dhe zona të ndërtuara keq janë më të prekshme nga vërshimet.

Eksperti Krasniqi tha se pasojat mund të ishin minimale nëse komunat do të kishin plane mjedisore të qarta, sisteme monitorimi të ujërave dhe buxhet të dedikuar për infrastrukturën kundër vërshimeve. Kjo mund të parandalonte shumë dëme materiale dhe rrezik për banorët.


“Prioritet urgjent pas këtyre përmbytjeve duhet të jetë: pastrimi dhe mirëmbajtja e kanaleve dhe lumenjve, vlerësimi i zonave të rrezikuara, përmirësimi i planifikimit urban dhe krijimi i planeve të menaxhimit të emergjencave për të parandaluar ngjarje të ngjashme në të ardhmen”, deklaroi eksperti Leutrim Krasniqi.


Të dhënat tregojnë qartë se pa buxhete të dedikuara, politika të qarta mjedisore dhe menaxhim serioz të ujërave, rreziku nga vërshimet do të mbetet i përhershëm. Nëse komunat nuk e trajtojnë mbrojtjen e mjedisit si prioritet real dhe nuk veprojnë menjëherë me masa konkrete, dëmet do të përsëriten dhe do të rriten, duke rrezikuar jo vetëm pronën, por edhe jetën e qytetarëve. Përmbytjet e këtyre ditëve duhet të shërbejnë si një alarm i fundit për veprim, e jo si një statistikë tjetër që harrohet sapo uji tërhiqet.

/Motilokal.com