Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) njofton se gjatë natës janë regjistruar reshje shiu me intensitet mesatar, ndërsa në zonat veriore dhe juglindore të vendit kanë filluar reshjet e dëborës. Pavarësisht kushteve atmosferike, të gjitha akset rrugore janë të hapura dhe qarkullimi po vijon normalisht.
Reshje bore janë evidentuar në disa segmente rrugore.
Në rajonin verior, borë ka pasur në akset Bajram Curri-Valbonë, Ura Bujan-Qafë Morinë, Bujan-Qafe Morinë (doganë), Sopot-Kerrnaj,Qafe Mejdan -Tropojë-Buçaj, Fierzë-Bajram Curri, Bulqizë-Peshkopi, Kukes-Shishtavec, Kukës-Bushtricë, Kukës-Krumë, Bogë-Theth, Dedaj-Razëm.
Në rajonin qendror, reshje dëbore janë shënuar në aksin Trau i Dajtit-Qafë Priskë-Qafë Mollë.
Në rajonin jugor, situata me dëborë është evidentuar në akset Qafë Thanë-Kapshticë, Qukës-Qafë Plloçë, Maliq–Kufi Gramsh, Korçë-Voskopojë, Boboshticë-Dardhë, Ersekë-Leskovik-Tre Urat dhe në Muzinë.
Kontraktorët e mirëmbajtjes rrugore janë në terren pa ndërprerje, me mjete dhe punëtorë, duke kryer pastrimin e akseve dhe shpërndarjen e kripës për të parandaluar ngricat.
Autoriteti Rrugor Shqiptar u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit, të pajisen me goma dimërore dhe zinxhirë, veçanërisht kur udhëtojnë në akse me prezencë bore.
/Motilokal.com
