Periudha e dimrit është gjithashtu periudha kur motivimi për stërvitje zvogëlohet, kështu që shumë ekspertë ju këshillojnë të zgjidhni stërvitjen në shtëpi.
Ruajtja e vazhdimësisë së aktivitetit fizik është e rëndësishme për ruajtjen e shëndetit fizik dhe mendor, dhe trajnerët pohojnë se mund të arrini të njëjtat rezultate duke u stërvitur në rehatinë e shtëpisë tuaj.
Aktiviteti fizik gjatë muajve të dimrit nuk është vetëm një metodë për të mbajtur formën, por është gjithashtu i rëndësishëm për forcimin e sistemit imunitar, gjë që e bën trupin më rezistent ndaj ftohjeve dhe viruseve sezonale, shkruan Healthline. Ushtrimet e rregullta stimulojnë metabolizmin dhe kontribuojnë në parandalimin e akumulimit të masës së tepërt trupore.
Kur stërviteni në shtëpi, cilësia e gjumit përmirësohet dhe nivelet e energjisë rriten, gjë që është e rëndësishme gjatë një periudhe kur mungesa e dritës së diellit çon në ndjenja lodhjeje.
Një stërvitje cilësore në shtëpi nuk kërkon pajisje të shtrenjta ose një hapësirë të madhe. Para se të filloni çdo stërvitje, është thelbësore të përgatitni trupin tuaj me një ngrohje dhjetëminutëshe, e ndjekur nga pjesa kryesore e stërvitjes. Ulje-ngritjet janë një ushtrim bazë që aktivizon muskujt e këmbëve dhe të vitheve. Pas kësaj, pompat mund të kryhen në një version klasik ose të adaptuar në gjunjë dhe synojnë forcimin e pjesës së sipërme të trupit.
Përveç kësaj, ushtrimet “plank” janë ideale për forcimin e trupit, ndërsa ushtrimet “lunge” aktivizojnë muskujt e këmbëve dhe përmirësojnë ekuilibrin. Këto ushtrime mund të kombinohen si stërvitje qarkore, ku çdo ushtrim kryhet në rangun e 10 deri në 15 përsëritjeve për disa sete, me pushime të shkurtra.
Për shkak të faktit që stërviteni në shtëpi, këshillohet të krijoni një rutinë, pra të kryeni stërvitjen në të njëjtën kohë.
/Motilokal.com
