Ortek i shkaktuar nga skitarët, Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit apelon për kujdes

Ortek i shkaktuar nga skitarët, Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit apelon për kujdes

Shërbimi i Kërkim Shpëtimit Malor i Kosovës ka njoftuar për rrezik të shtuar të ortekëve në zonën e Brezovicës. Sipas njoftimit, sot është raportuar një aksident orteku në një zonë jashtë shtegut të rregulluar, i shkaktuar nga disa skitarë. Fatmirësisht, personat e përfshirë kanë shpëtuar pa lëndime.

Teknikët e ShKShMK-së kanë kryer kontrollime të shtresave të borës më 18 janar 2026 dhe kanë evidentuar dy shtresa problematike. Më shqetësuesja mbetet shtresa bazë mbi vegjetacion, e njohur si Depth Hoar, e cila rrit ndjeshëm rrezikun për ortekë.

Sipas vlerësimit, reshjet e fundit të borës të shoqëruara me erëra të forta nga juglindja kanë krijuar akumulime të borës së konsoliduar. Kjo ka shtuar peshën dhe presionin mbi shtresat e dobëta, duke krijuar kushte të pafavorshme dhe rrezik të lartë për rrëshqitje ortekësh.

Shërbimi i Kërkim Shpëtimit Malor apelon për kujdes të shtuar gjatë skijimit dhe aktiviteteve bjeshkatare, sidomos në faqet veriore, por rreziku nuk përjashtohet as në orientime të tjera. Qytetarëve u kërkohet të shmangin lëvizjet jashtë shtigjeve të sigurta, të informohen paraprakisht për kushtet e borës dhe motit, të përdorin pajisje të sigurisë dhe të mos veprojnë të vetëm në terrene të rrezikshme.


/Motilokal.com