AUV njofton për tërheqjen nga tregu të produktit ushqimor për foshnje APTAMIL

AUV njofton për tërheqjen nga tregu të produktit ushqimor për foshnje APTAMIL

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës (AUV) njofton se përmes Sistemit të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë RASFF, ka pranuar njoftimin me numër 2026.0598 lidhur me produktin ushqimor për foshnje APTAMIL.

Sipas njoftimit, në një seri të këtij produkti që përdoret për qëllime të veçanta mjekësore është identifikuar prania e substancës Cereulide, çka ka bërë që të kërkohet tërheqja e menjëhershme e tij nga tregu.

Duke qenë se niveli i rrezikut është vlerësuar serioz, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, në bashkëpunim me kompaninë importuese, ka ndërmarrë masa të menjëhershme për tërheqjen nga tregu të produktit APTAMIL AR 2, formulë ushqimore për foshnje, paketimi ENG 24 x 400 gramë. Produkti është prodhuar nga Nutricia Infant Nutrition Ireland Ltd, pjesë e Danone, ndërsa importues në Kosovë është kompania UNION SH.P.K. nga Vushtrria.

AUV u bën thirrje konsumatorëve që posedojnë këtë produkt të mos e përdorin dhe ta kthejnë atë në pikat e shitjes ku është blerë.

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë thekson se mbetet e përkushtuar në monitorimin e vazhdueshëm të tregut dhe në zbatimin e masave parandaluese dhe kontrolluese, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve në Republikën e Kosovës.

/Motilokal.com