Shitjet e veturave në Bashkimin Evropian u përshpejtuan në dhjetor, por mbetën "dukshëm nën" nivelet para pandemisë vitin e kaluar, raportoi të martën shoqata e prodhuesve (ACEA).
Në dhjetor, në BE u regjistruan 963,319 vetura të reja, 5.8 për qind më shumë se në fund të vitit 2024, llogariti ACEA.
Në nëntor, numri i tyre u rrit me 2.1 për qind në bazë vjetore.
Shitjet e veturave të reja elektrike me bateri u rritën me 51 për qind, me 217,898 'regjistrime'. Rritje e fortë u regjistrua gjithashtu në segmentin e automjeteve hibride plug-in, me 36.7 për qind, me 102,914 automjete të reja të regjistruara.
Numri më i lartë i regjistrimeve u regjistrua në kategorinë e veturave elektrike hibride, një total prej 324,799, 5.8 për qind më shumë se në fund të vitit 2024. Sipas përkufizimit të ACEA-s, grupi përfshin "hibride të plota dhe të pjesshme" të cilat, varësisht nga fuqia e baterisë, mund të ngasin mesatarisht deri në 62 për qind të kohës vetëm me energji elektrike.
Shitjet e automjeteve me benzinë dhe naftë ranë përkatësisht me 19.2 dhe 22.4 për qind.
Në grupin e tregjeve kryesore, shitjet në Gjermani u rritën me 9.7 për qind, në Itali me 2.3 për qind. Në Francë, ato u ulën me 5.8 për qind dhe në Spanjë me 2.2 për qind.
Në vitin 2025 në tërësi, shitjet e veturave në BE u rritën me 1.8 për qind, me një total prej 10.82 milion 'regjistrimesh' të reja, ende "dukshëm" më pak se në periudhën para pandemisë, vuri në dukje ACEA.
Veturat elektrike me bateri përbënin 17.4 për qind të tregut të BE-së vitin e kaluar, dukshëm më shumë sesa në vitin 2024 kur pjesa e tyre ishte vetëm 13.6 për qind.
Zgjedhja e preferuar e konsumatorëve në BE ishin veturat elektrike hibride, me një pjesë tregu prej 34.5 për qind. Pjesa e veturave me benzinë ishte 26.6 për qind dhe e veturave me naftë 8.9 për qind, tregojnë llogaritjet e shoqatës.
/Motilokal.com
