Komuna e Prishtinës ka ofruar mbështetje për ndërmarrjen komunale “Pastrimi” në grumbullimin dhe largimin e mbetjeve inerte dhe atyre vëllimore nga deponitë ilegale. Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, duke sqaruar se kjo mbështetje erdhi pas kërkesës së vetë ndërmarrjes, e cila tash e një kohë po përballet me vështirësi në menaxhimin e mbeturinave në kryeqytet.
Sipas Ramës, KRM “Pastrimi” Sh.A. ka kërkuar ndihmë për shkak të pamundësisë teknike momentale për të siguruar kapacitet të plotë operativ. Pas pranimit të kësaj kërkese, Komuna ka reaguar menjëherë duke nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi me ndërmarrjen rajonale “Pastrimi”.
Në kuadër të kësaj marrëveshjeje janë përcaktuar ndihma konkrete dhe parimet e bashkëpunimit ndërinstitucional. Si rezultat, ka nisur angazhimi në terren për largimin e mbetjeve ndërtimore dhe atyre vëllimore nga deponitë ilegale në territorin e Prishtinës.
Ky bashkëpunim pritet të rrisë kapacitetet operative dhe të mundësojë shërbime më të shpejta dhe më efikase, me synim përmirësimin e pastërtisë dhe cilësisë së jetës për qytetarët e kryeqytetit.
/Motilokal.com
