Këshilla për fermerët, si dhe kur të kryhet krasitja e pemëve

Këshilla për fermerët, si dhe kur të kryhet krasitja e pemëve

Ministria e Bujqësisë ka njoftuar fermerët se periudha aktuale është më e përshtatshmja për krasitjen e të gjitha llojeve frutore.

Ministria ka rekomanduar që të shfrytëzohet maksimalisht kjo kohë, sepse krasitja e vonuar jep efekte dukshëm më të vogla në zhvillimin dhe prodhimtarinë e pemëve.

Postimi i plotë i MBPZHR-së:

Periudha aktuale është më e përshtatshmja për krasitjen e të gjitha llojeve të pemëve frutore. Ju rekomandojmë që ta shfrytëzoni maksimalisht këtë kohë, sepse krasitja e vonuar jep efekte dukshëm më të vogla në zhvillimin dhe prodhimtarinë e pemëve.

Sipas periudhës kur kryhet, krasitja ndahet në dy lloje:

1. Krasitja dimërore – kryhet gjatë periudhës së qetësisë së pemës;

2. Krasitja e gjelbër – kryhet gjatë periudhës së vegjetacionit.

Në këtë njoftim po fokusohemi në krasitjen dimërore, duke sqaruar çfarë është, pse dhe kur aplikohet.

Çfarë është krasitja?

Krasitja është një masë e rregullt agroteknike që realizohet çdo vit, gjatë periudhës së qetësisë dimërore dhe, sipas nevojës, edhe gjatë vegjetacionit.

Qëllimi kryesor i krasitjes është:

-  Formimi i një kurore të rregullt,

-  Sigurimi i rritjes dhe zhvillimit të degëzave me sytha prodhues,

- Ruajtja e ekuilibrit ndërmjet rritjes vegjetative dhe prodhimtarisë.

Krasitja e rregullt ndikon drejtpërdrejt në:

- Rinovimin e vazhdueshëm të pemës,

- Rritjen e jetëgjatësisë së saj,

- Prodhim më të lartë dhe cilësi më të mirë të frutave.

Në praktikë, krasitja konsiderohet arti i drejtimit të rritjes natyrore të pemës, duke e përshtatur atë për prodhim më të qëndrueshëm dhe më cilësor.

Pse dhe kur aplikohet krasitja?

Përmes krasitjes:

- Formohet kurora e pemës,

- Eliminohet prodhimi periodik (një vit me fruta, një vit pa fruta),

- Përmirësohet depërtimi i rrezeve të diellit dhe ajrosja e kurorës,

- Zvogëlohet rreziku nga sëmundjet dhe dëmtuesit,

- Rregullohet qarkullimi i materieve ushqyese ndërmjet rrënjës dhe pjesës mbitokësore.

Të gjithë këta faktorë ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e rendimentit dhe përmirësimin e cilësisë së prodhimit.

Koha e përshtatshme për krasitje dimërore

Krasitja dimërore aplikohet gjatë periudhës së qetësisë natyrore të pemës.

Rekomandohet që të kryhet:

- Pas kalimit të temperaturave shumë të ulëta,

- Varësisht nga kushtet klimatike të zonës.

Në kushtet tona klimatike, muajt më të përshtatshëm për krasitje janë Shkurt – Mars.

Këshilla dhe mbështetje

Për çdo këshillë apo sqarim lidhur me krasitjen dimërore, si dhe për praktika të tjera në bujqësi dhe zhvillim rural, ju ftojmë të drejtoheni te këshilltarët e QIKK-ve (Qendrat Informative Këshilluese Komunale).

Në QIKK mund të pajiseni gjithashtu edhe me materiale të shtypura informative sipas nevojave tuaja.

Departamenti i Shërbimeve Këshillimore dhe Teknike – MBPZHR

Rr. “Ukshin Hoti”, Ndërtesa e ish “Ramiz Sadiku”, nr. 120, Kati III

Prishtinë – Kosovë

Tel: +383 (0)38 200 38 426