Gjirokastra, aty ku kultura jeton mes mureve të gurta

Gjirokastra, aty ku kultura jeton mes mureve të gurta

E shtrirë mbi shpatet e jugut dhe e mbrojtur nga kalaja që e vështron prej shekujsh, Gjirokastra është një nga ato qytete që të jep ndjesinë sikur koha ecën më ngadalë. E përfshirë në trashëgiminë botërore të UNESCO-s, ajo mirëpret vizitorë nga çdo cep i botës me gurin që flet histori, rrugicat e ngushta dhe shtëpitë elegante me çati guri.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ndau disa pamje nga ky qytet i veçantë, shpesh i quajtur perla e jugut, ku tradita ruhet me krenari dhe natyra i jep çdo stine një pamje tjetër.

Në zemër të qytetit ngrihet Kalaja e Gjirokastrës, një dëshmi e fortë e së kaluarës që nga shekulli XII. Prej saj hapet një horizont i gjerë mbi luginën e Drinos, ndërsa brenda mureve ruhen histori që vazhdojnë të tregohen përmes Muzeut të Armëve.

Gjirokastra nuk është vetëm për t’u parë, por për t’u përjetuar. Tingujt e folklorit, festat kulturore dhe atmosfera artistike e bëjnë qytetin të gjallë gjatë gjithë vitit.

Si vendlindja e Ismail Kadaresë, ajo mban ende një shpirt letrar dhe një elegancë të vjetër që ndihet në çdo lagje. Një ndalesë në shtëpitë muze, sidomos në atë të Kadaresë, është një udhëtim i shkurtër në jetën dhe frymëzimin e shkrimtarit.

Dhe kur dita afrohet drejt fundit, janë shijet tradicionale ato që e plotësojnë udhëtimin. Gatimet e zonës, të përgatitura me produkte vendase, të ftojnë të rrish edhe pak më gjatë në këtë qytet që di të lërë mbresa.


/Motilokal.com