Ajrosja e shtëpisë duket si një gjë e thjeshtë, por jo gjithmonë e dimë sa shpesh duhet bërë dhe pse ka aq shumë rëndësi. Hapja e dritareve nuk është vetëm një zakon i mirë, por një hap i domosdoshëm për një ambient më të shëndetshëm.
Zakonisht njerëzit sillen ndryshe kur vjen puna te ajrosja. Disa i hapin dritaret sapo zgjohen dhe i mbajnë hapur për një kohë të gjatë, pa u shqetësuar nga moti. Të tjerë hezitojnë, i hapin vetëm për pak minuta dhe jo çdo ditë. E vërteta qëndron diku në mes.
Ajrosja ndihmon në uljen e përqendrimit të mikroorganizmave dhe grimcave të dëmshme në ajër. Edhe pse nga jashtë mund të hyjnë pluhur apo polen, ndërrimi i ajrit largon dioksidin e karbonit që grumbullohet gjatë natës dhe substanca të tjera kimike që krijohen brenda shtëpisë. Po ashtu pengon shumimin e mikrobeve, sidomos në hapësira të lagështa.
Sa duhet të zgjasë ajrosja? Specialistët rekomandojnë rreth 10 deri në 20 minuta. Kjo kohë mjafton për të freskuar ajrin pa humbur nxehtësinë gjatë dimrit. Më e mira është të bëhet herët në mëngjes, kur ajri është më i freskët dhe temperatura rikthehet shpejt pasi dritaret mbyllen.
Nëse doni rezultat më të shpejtë, hapni dritare në anë të kundërta të shtëpisë për të krijuar rrymë ajri. Në këtë mënyrë, edhe 5 minuta mund të jenë të mjaftueshme. Dritaret duhet të hapen plotësisht, sepse hapja e pjesshme nuk lejon qarkullimin e duhur dhe vetëm ftoh muret. Ky proces mund të përsëritet dy ose tri herë në ditë.
Kur ndotja jashtë është e lartë, ajrosni për një kohë më të shkurtër dhe zgjidhni momentet kur ajri është më i pastër, zakonisht herët në mëngjes ose vonë në mbrëmje kur ka më pak trafik.
Ndërrimi i ajrit nuk e bën shtëpinë sterile, por ul rrezikun e grumbullimit të mikroorganizmave që mund të shkaktojnë infeksione. Nuk ka nevojë të jetojmë në një ambient pa asnjë mikrob. Qëllimi është të ruhet cilësia e ajrit.
Edhe nëse jetoni vetëm, ajrosja duhet të jetë pjesë e rutinës. Nuk është një zgjidhje magjike, por është një nga mënyrat më të thjeshta për ta bërë hapësirën ku jetoni më të shëndetshme.
Në dimër kjo bëhet edhe më e rëndësishme, sepse brenda shtëpisë krijohen substanca të dëmshme si pluhuri, monoksidi i karbonit nga sobat, dioksidi i karbonit dhe avulli nga dushi, gatimi apo tharja e rrobave. Kur ajri nuk ndërrohet, këto grumbullohen dhe ulin sasinë e oksigjenit.
Ajri i ndenjur mund të shkaktojë irritim të syve, dhimbje koke, vështirësi në frymëmarrje dhe mungesë përqendrimi. Vetëm pak minuta ajrosje çdo ditë bëjnë një ndryshim të madh për mirëqenien në shtëpi.
/Motilokal.com
