Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se uji i pijshëm në zonën e furnizimit PR03 nga Liqeni i Badovcit është i sigurt për konsum.
Sipas njoftimit, monitorimet e fundit kanë treguar një ulje të dukshme të nivelit të turbullirës. Analizat laboratorike të kryera gjatë tri ditëve të fundit kanë konfirmuar se, përveç turbullirës, edhe të gjithë parametrat e tjerë bakteriologjikë dhe fiziko kimikë janë brenda kufijve të përcaktuar me Udhëzimin Administrativ nr. 10/2021 për cilësinë e ujit të destinuar për konsum nga njeriu.
Duke u mbështetur në këto rezultate, IKShPK thekson se uji në këtë zonë i plotëson kriteret e sigurisë për pije.
Instituti bën të ditur se, në bashkëpunim me institucionet përkatëse, do të vazhdojë monitorimin e rregullt të cilësisë së ujit dhe do të mbajë të informuar qytetarët për çdo zhvillim.
/Motilokal.com
