I ftohti ekstrem në Nju Jork lë 18 të vdekur

I ftohti ekstrem në Nju Jork lë 18 të vdekur

Një valë e ashpër e të ftohtit në Nju Jork ka shkaktuar vdekjen e 18 personave, njoftoi kryebashkiaku i qytetit. Që nga fundi i janarit, qyteti është përballur me 13 ditë radhazi me temperatura 0°C ose më të ulëta, një nga periudhat më të gjata të ngricave në rreth gjashtë dekada.

Gjatë fundjavës u raportua edhe një viktimë tjetër që humbi jetën në rrugët e qytetit. Kryebashkiaku Zohran Mamdani tha se çdo jetë e humbur është tragjedi dhe u bëri thirrje banorëve të qëndrojnë të sigurt, të qëndrojnë brenda dhe të kujdesen për njëri tjetrin, pasi temperaturat mbeten nën mesatare edhe pse pritet një rritje e lehtë gjatë javës.


Që nga 19 janari është shpallur emergjenca e Kodit Blu, e cila lehtëson pranimin në strehimoret për personat pa strehë. Deri më tani janë bërë rreth 1,400 vendosje në strehimore, ndërsa kapaciteti është rritur me 64 dhoma hoteli dhe me të paktën 150 punonjës shtesë në terren.

Më herët ishte bërë e ditur se të paktën 10 nga viktimat u gjetën jashtë, ndërsa rrethanat e vdekjeve të tjera mbeten të paqarta. Autoritetet theksojnë se temperaturat nuk pritet të kalojnë mbi 0°C deri të martën, çka konsiderohet ende mot i rrezikshëm.

Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit, temperaturat këtë periudhë zakonisht arrijnë rreth 4°C. Seria 13 ditore me temperatura në ose nën zero përfundoi të premten, kur u regjistrua një rritje e shkurtër mbi 0°C.

Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave paralajmëroi se i ftohti ekstrem dhe reshjet e borës paraqesin rreziqe serioze, pasi bora dhe akulli mund të bien papritur nga ndërtesat, ndërsa rrugët dhe trotuaret mund të ngrijnë sërish gjatë natës.

/Motilokal.com