Vetëm gjatë dhjetorit të vitit 2025, në hotelet e Kosovës u regjistruan 68 293 vizitorë, ose 6,1 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit paraprak, kur ishin 64 380.
Kosova po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë, si vendas ashtu edhe të huaj. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, nga numri i përgjithshëm 27 776 ishin vendorë, ndërsa 40 517 erdhën nga jashtë, një tregues i qartë se turizmi ndërkombëtar po rritet.
Gjatë këtij muaji u realizuan 132 148 net-qëndrime. Prej tyre, 71 624 ose 54,2 për qind i takuan vizitorëve të huaj, ndërsa 60 524 ose 45,8 për qind vendorëve. Kjo nënkupton se të huajt jo vetëm që po vijnë më shumë, por edhe po qëndrojnë më gjatë.
Peja mbetet rajoni më i vizituar nga turistët vendorë. Në dhjetor 2025 aty u regjistruan 9 655 vizitorë dhe 26 550 net-qëndrime, çka lidhet kryesisht me ofertën dimërore dhe zonat malore të Rugovës.
Sa i përket vizitorëve të huaj, u shënua një rritje prej 2,5 për qind krahasuar me dhjetorin e vitit 2024. Më së shumti erdhën nga Shqipëria, Gjermania, Zvicra dhe Turqia, por pati edhe vizitorë nga vende të tjera evropiane dhe më gjerë.
Dhjetori e mbylli vitin me rezultate pozitive për turizmin dhe hotelerinë në Kosovë. Interesi në rritje sugjeron se ky trend pritet të vazhdojë edhe gjatë vitit 2026.
/Motilokal.com
