Një tërmet me magnitudë 4.8 sipas shkallës Rihter ka goditur territorin e Kosovës mbrëmjen e 10 shkurtit 2026, rreth orës 22:09 sipas kohës lokale. Lajmi u bë i ditur nga Shemsi Mustafa i Institutit Sizmik të Kosovës përmes një postimi në Facebook.
Sipas njoftimit, të dhënat janë bazuar në Rrjetin Sizmologjik, Shërbimin Gjeologjik të Kosovës dhe Qendrën Sizmike Euro-Mediterane, si dhe në analizën numerike të ngjarjes sizmike. Tërmeti arriti intensitetin VI në shkallën e Merkalit, ndërsa thellësia hipoqendrore ishte rreth 5 kilometra.
Epiqendra u lokalizua në koordinatat gjeografike 42.144 dhe 20.985, rreth 23 kilometra në lindje të Prizrenit.
Lëkundjet janë ndier dukshëm nga qytetarët në disa zona të vendit. Sipas vlerësimeve fillestare, tërmeti kishte potencial të rrezikonte qytetarët dhe të shkaktonte dëme materiale për shkak të forcës së tij.
Sipas sizmologut Mustafa ky aktivitet sizmik, konfirmon edhe një herë se zona sizmogjene e Prizrenit mbetet aktive, gjë që është theksuar edhe në Hartën e Rrezikut Sizmik për Kosovën.
/Motilokal.com
